Di Maria largohet nga Argjentina

10 months ago 11
13:50 24/11/2023

Sulmuesi argjentinas Angel Di Maria do të tërhiqet nga futbolli ndërkombëtar pas përfundimit të Copa America-s vitin e ardhshëm. 35-vjeçari ka qenë pjesë e përfaqësueses albiçeleste për 15 vite. Me një mesazh në profilin e tij në Instagram, sulmuesi tregoi arsyet e vendimit.

“Kupa e Amerikës do të jetë kompeticioni i fundit në të cilin do të vesh fanellën e Argjentinës, me gjithë dhimbjen në shpirt dhe me vështirësi i them lamtumirë gjësë më të mirë që më ka ndodhur në karrierën time. Faleminderit tifozëve, faleminderit familjes, faleminderit miqve dhe shokëve të skuadrës, ne vazhdojmë të bëjmë histori dhe kjo do të mbetet përgjithmonë”.

Futbollisti ka bërë 136 paraqitje për kampionët e botës, Argjentinën që nga debutimi i tij në vitin 2008, duke luajtur në katër Kupa Botërore dhe duke shënuar në finalen e Katar 2022 kundër Francës.

Ai do të marrë pjesë për herë të gjashtë në Kopa Amerika në turneun që mbahet nga data 20 qershor deri në 14 korrik në SHBA. Bardhekaltrit do të kërkojnë të mbrojnë titullin kampion.

Di Maria u bë pjesë e kampionëve të Benfikës këtë vit. Ai ka qenë pjesë e portugezëve edhe në vitet 2007-2010. Argjentinasi ka luajtur edhe për Real Madrid, Paris St Germain, Juventus dhe Manchester United.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article