Diamanti dardan në menaxhim nga ikona Francesco Totti: I ka përcjellë ndeshjet e Kosovës, jam i lumtur që do të bashkëpunojë me të

5 months ago 10

Diamant Lokaj është një nga talentët e mëdhenj të Kosovës, që po luan dhe zhvillohet si futbollist në Gjermani.

Mesfushori dardan është pjesë e skuadrës gjermane SV Sandhausen, derisa ai është anëtar i rregullt i Përfaqësueses së Kosovës U19.

Lokaj konsiderohet si një nga mesfushorët qendror më perspektiv në Gjermani dhe këtë e ka vërejtur edhe legjenda e futbollit italian, Francesco Totti.

Ish-kapiteni legjendar i Romës ka një agjension të menaxhimit të futbollistëve ‘CT10Management’, derisa Lokaj tanimë është pjesë e këtij agjensioni.

Të jesh nën menaxhimin e një ikone të futbollit padyshim që është një e arritur e madhe, derisa Lokaj ka treguar për Telegrafin se si ka rënë në sytë e Francesco Tottit.

“Totti ka ardhur në kualifikimet për Kampionatin Evropian për të parë ndeshjen e Kosovës U19 ndaj Spanjës në Slloveni. Ai ishte aty për futbollistin e tij Adam Hasanin, një djal shumë i talentuar që i ka vetëm 15 vjet dhe për Leon Zeqirin”, thotë fillimisht Lokaj për Telegrafin.

“Ai ka parë ndeshjet e Kosovës dhe i kam rënë në sy Tottit me lëvizjet dhe leximin e lojës dhe ashtu me pasimet që bëj në fushë. Kështu që më vonë më erdhi një ofertë që të jem nën menaxhimin e tij, ofertë që nuk e kisha paramenduar më parë”.

“Jam shumë i lumtur që jam tani pjesë e kësaj kompanie dhe krenar me vetën në këtë fillim të karrierës”, ka thënë Lokaj.

Përkundër se është nën menaxhimin e Tottit, Lokaj ka thënë se ka motiv të madh për punë në mënyrë që të ketë të ardhme dhe të arrijë suksese në futboll.

“Motivimin për punë e kam gjithmonë të lartë dhe punoj çdo ditë më shumë për arritjen e sukseseve të ardhshme. Motivin nuk ma shton as një menaxher i botës, por atë e kam vet dhe mundohem gjithmonë të jam maksimumin si në stërvitje ashtu edhe në lojë”, vazhdon tutje Lokaj.

Lokaj e ka nisur karrierën te Frebiurgu, derisa tani e dy vite është pjesë e skuadrës së SV Sandhausen, derisa këtë edicion me juniorët e kësaj skuadre në 26 ndeshje ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar në gjashtë të tjerë.

“Jam shumë i kënaqur me atë që kamë dhënë këtë edicion te klubi im Sandhausen. Megjithatë ndjenja më e mirë për mua është me Kombëtaren e Kosovës, sidomos ndeshjet që i kishim në Malta, ku u kualifikuam në Elite Round”.

“Në ndeshjet e zhvilluara në Elite Round kemi bërë paraqitje shumë të mira nën urdhrat e trajnerit Adil Maliqi dhe vërtetë jam shumë i lumtur që përfaqësojë vendin tim”, tha Lokaj.

Krejt në fund mesfushori i talentuar kosovar thotë se qysh si fëmijë ka ëndërruar që një ditë të luaj në kampionatet më të forta evropiane.

“Si fëmijë gjithmonë kam ëndërruar që të luaj në kampionatet më të forta evropiane dhe besoj se me punë do t’ia arrijë një gjëje të tillë”.

“Do të punojë edhe më shumë në të ardhmen që të arrij lart e më lart dhe jam i gatshëm për çdo ekip”, përfundoi Lokaj. /Telegrafi/

Read Entire Article