Një pikë e paautorizuar mbeturinash në Qafën e Buallit në rrugën që të çon drejt Martaneshit është përfshirë nga flakët këtë të enjte.
Zjarri u aktivizua rreth orës 13:00 dhe dyshohet të jetë vendosur nga persona që depozitojnë mbetje të ndryshme në këtë zonë.
Persona të ndryshëm kanë hedhur aty edhe mobilie shtëpiake të cilat kanë marrë flakë dhe po digjen duke shkaktuar ndotje të mjedisit por edhe një rrezik potencial për përhapjen e zjarrit në masivin pyjor me dyshqe dhe pishë të zezë që ndodhet vetëm pak metra larg.
Kjo zonë ka qenë vazhdimisht problematike sa i përket zjarreve pasi në shumë raste flakët kanë djegur hektar me pishë.
Edhe pse pika e depozitimit të mbetjeve nga Bashkia Bulqizë dhe ajo e Klosit është 2 km më larg, persona të papërgjegjshëm i hedhin këtu dhe i djegin.