Policia në Mirditë ka finalizuar operacionin e koduar “Double”.
Në pranga ka rënë një shtetas 37-vjeçar, pasi u kap në flagrancë duke ujitur 520 bimë narkotike. I arrestuari është Fatmir Ndoj.
“Mirditë
Kontrolle intensive dhe finalizim të operacioneve proaktive, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Finalizohet operacioni policor i koduar “DOUBLE”.
Po ujiste 520 bimë narkotike, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 37-vjeçari.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara si rezultat i një hetimi proaktiv njëmujor, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “DOUBLE”.
Si rezultat i këtij operacioni, u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
- F.N, 37 vjeç, banues në fshatin Shëmri, njësia administrative Orosh, bashkia Mirditë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit në afërsi të fshatit ku banonte, kishte kultivuar 520 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Gjatë operacionit të zhvilluar në orët e para të mëngjesit, ky shtetas u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike.
Në vijim të veprimeve procedurale, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin S. Ll., me detyrë kryeplak i fshatit Shëmri, dhe për shtetasin Gj. Gj., me detyrë specialist i pyjeve, pasi dyshohet se nuk kanë kryer detyrën e tyre funksionale, në zonën që mbulojnë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë vijon puna për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
(Balkanweb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb