“Duhet të godasim fort”, zbulohen më shumë mesazhe nga rasti i shantazhit ndaj Pogbas

9 months ago 26

Janë zbuluar tashmë dhe kanë dalë në dritë detaje të reja nga hetimi i ‘rastit Paul Pogba’.

Sipas gazetës L’Equipe, policia ka zbuluar më shumë mesazhe të shkëmbyera mes të dyshuarve që kanë sqaruar një pjesë të hetimeve.

Agjentët, sipas informacioneve që kanë, tani organizimin e zhvatjes së pësuar nga futbollisti ia atribuojnë Adama C., mikut të Pogbas, i arrestuar në mars të 2023 pas kthimit nga Dubai.

Ngjarjet kanë ndodhur natën e 19-20 marsit 2022. Atë ditë, rreth mesnatës, disa miq e kanë çuar futbollistin në një apartament në periferi të Parisit. Ai qëndroi aty deri në katër të mëngjesit, me celularin e fikur dhe të konfiskuar.

Dy persona me kapuç, të veshur me jelek antiplumb dhe të armatosur, kanë vënë në shënjestër lojtarin, të cilit i kanë kërkuar 13 milionë euro.

Nga miqtë e Pogbas

Policia tani ka gjetur mesazhe në celularin e Adama C. Ai është shok fëmijërie i Pogbas dhe ka qenë i pranishëm natën e ngjarjeve.

Në bisedat e WhatsApp-it që agjentët kanë zbuluar, ka biseda mes Adama C. dhe Mamadou M., një tjetër nga miqtë e Pogbas.

“Duhet të godasësh fort”, i thotë Adama C., sipas hetimit të cituar nga L’Equipe, me qëllimin për të planifikuar se si t’i bëjë presion futbollistit që të paguajë shifrën e kërkuar kur të vijë koha.

“Ka arsye për të besuar se Adama C. manovroi për të organizuar rrëmbimin e Paul Pogbas”, shkruajnë hetuesit, sipas informacioneve të gazetës franceze, në një raport të policisë të datës 20 shtator 2023.

Ky është një hap tjetër për të sqaruar se çfarë ndodhi që natën kur Pogba u shantazhua. /Telegrafi/

Read Entire Article