Dyshoheshin se po planifikonin sulme ndaj institucioneve hebraike në Evropë – arrestohen katër anëtarë të Hamasit, tre në Berlin dhe një në Holandë

10 months ago 10

Katër anëtarë që dyshohet se i përkasin grupit militant islamik Hamas u arrestuan në Berlin dhe Holandë, thanë të enjten prokurorët publikë gjermanë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, prokurorët thanë se ata u arrestuan me dyshimin për planifikimin e sulmeve ndaj institucioneve hebraike në Evropë.

Burrat thuhet se ishin anëtarë të njohur të Hamasit me lidhje të ngushta me degën ushtarake të organizatës, një me kombësi holandeze, dy të lindur në Liban dhe një tjetër me shtetësi egjiptiane.

“Pas sulmeve të tmerrshme të Hamasit ndaj popullatës izraelite, sulmet ndaj hebrenjve në institucionet hebraike janë shtuar edhe në vendin tonë gjatë javëve të fundit”, citohet të ketë thënë ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann, pas arrestimeve.

“Prandaj ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që hebrenjtë në vendin tonë të mos kenë frikë përsëri për sigurinë e tyre”, tha ai.

Ndryshe, Hamasi është renditur si një organizatë terroriste nga Gjermania, Izraeli, SHBA, BE dhe qeveri të tjera.

Më herët të enjten, policia daneze tha se parandaloi një sulm terrorist dhe arrestoi katër persona. Tre të dyshuar u arrestuan në Danimarkë, dhe një i katërt u arrestua në Holandë. /Telegrafi/

Read Entire Article