E Diela Shqiptare – Intervistë me aktorin italian, Antonio Buonocunto (7 Janar 2024)

9 months ago 10
16:59 07/01/2024

#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #aktor#sukses#FilumenaMarturano#Itali#Shqiperi

“Të dashurën e parë e pata në moshën 17-vjeçare”, Gjebrea: Mos e thuaj këtë se…

Antonio Buonocunto është një aktor i ri italian i cili së fundmi ka përmbyllur një projekt të rëndësishëm, të transmetuar nga “Rai”, filmin “Filomena Marturano”. Kjo është hera e tij e parë në Shqipëri të cilën e ka njohur fillimisht përmes rrëfimeve të të atit.

I ftuar në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Antonio shpreh përshtypjet e tij të para dhe dëshirën për t’u rikthyer dhe për të ndenjur më gjatë.

Antonio Buonocunto: Përvoja ime me Shqipërinë daton që prej një viti, kur babai im erdhi këtu dhe u dashurua me këtë shtet të mrekullueshëm. Më ka folur gjithmonë për Shqipërinë dhe më ka thënë se një ditë unë duhej ta vizitoja këtë vend. Realisht, italianët dhe sidomos napolitanët, janë të ngjashëm me shqiptarët. Ngjajmë më shumë nga ç’duket. Më ftoi që të vija. Erdha dhe më duhet të them se ne jemi vërtet shumë të ngjashëm dhe se Shqipëria është një vend shumë i bukur. Është me të vërtetë shumë i bukur.

Ardit Gjebrea: Kur ke mbërritur?

Antonio Buonocunto: Kam ardhur dje.

Ardit Gjebrea: Për herë të parë?

Antonio Buonocunto: Është hera ime e parë.

Ardit Gjebrea: Dhe?

Antonio Buonocunto: Dua të rikthehem. Tani ndodhem në Romë për arsye pune. Duhet të rikthehem shumë shpejt. Sapo të mbaroj punë, sepse jam duke filmuar diçka tjetër, do të rikthehem në Shqipëri. Do të qëndroj rreth një muaj, sepse dua ta zbuloj këtë vend. Në fund do të të tregoj një sekret të vogël.

Antonio e pati të qartë rrugëtimin e tij drejt aktrimit që në moshën 8-vjeçare. Ai iu përkushtua menjëherë dhe zgjodhi një profesion që ka shumë disiplinë, por edhe sakrifica.

Antonio Buonocunto: Faktikisht, arrita të kuptoja se zgjedhja ime ishte një zgjedhje tejet e vështirë, sepse më është dashur të sakrifikoj shumë gjëra. Pas pak kohësh kuptova se kisha sakrifikuar fëmijërinë time. Kur shokët e mi dilnin dhe kishin të dashura ose kur shkonin për të ngrënë ndonjë picë, unë isha në teatër duke bërë prova ose në shtëpi që mësoja skenarin. Ishin skenarë voluminozë, sepse e kam nisur me Shekspirin. Nuk e nisa me diçka të lehtë. Me kalimin e viteve kuptova që kisha sakrifikuar shumë.

Ardit Gjebrea: Nga kjo që the deri tani kuptova që ke pak hidhërim, pak pendesë nga vitet që të kanë ikur për të gjetur vajzën e zemrës ndoshta, atë të parën dhe meqenëse the që edhe shokët e tu kishin shoqet e tyre, shkonin, dilnin dhe ti punoje. Po pse, në çfarë moshe e kishe ti shoqen e parë?

Antonio Buonocunto: Të dashurën e parë e kam pasur kur kam qenë rreth shtatëmbëdhjetë vjeç.

Ardit Gjebrea: E doje më përpara?

Antonio Buonocunto: Jo, jo. Ne jemi italianë. Unë jam napolitan dhe jemi shumë të nxituar. Nëse bën një shëtitje në Itali dhe vjen në Napoli sheh djemtë 11-vjeçarë të kapur dorë për dore me vajzat.

Ardit Gjebrea: Mos e thuaj këtë sepse kam një vajzë 15-vjeçare.

“Kishte 20 vjet që nuk nxirrte pikë loti”, episodi emocionues i aktorit italian me 60-vjeçaren

Ndonëse i ri në karrierë, aktori italian Antonio Buonocunto tashmë ka nisur të ketë sukseset e tij të para. Pas filmit “Filomena Marturano” dhe serialit “Piedone la serie”, ai ka filluar edhe punën mbi një film të tij.

Përpara se të kishte këto arritje të rëndësishme, Buonocunto ka përjetuar një sfidë të fortë në fillesat e karrierës  të cilën e ndan gjatë intervistës në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.

Antonio Buonocunto: Rreth pesë vjet më parë u shpërngula në Romë, sepse doja të ngjitesha në një nivel më cilësor, të filloja të jetoja me këtë punë, të ushtroja vetëm këtë profesion. Transferohem në Romë, filloj të punoj shumë mirë dhe bota ndalon. Të gjithë ndaluam për shkak të pandemisë. Kinematë nuk operojnë më, teatri gjithashtu. Do të të duhej të bëje bukëpjekësin, meqë puna vazhdonte për ta. Dhe unë që isha gati të kapërceja, i vetëdijshëm që poshtë ishte plot me ujë dhe nuk vritesha, por befas uji shteron dhe po të rrëzohesha, do të vritesha.

Isha larg familjes, kam qenë i vetëm në Romë duke u përballur me këtë situatë, i zhytur në mendime. Fillova të pyesja veten se çfarë do të bëja tani. Çfarë duhet të bëj? Të vazhdoj? Të ndaloj? Mos vallë ky ishte fati im? Duhej të ndodhte që unë të zgjohesha? Kuptova se kjo kohë më shërbeu për të rivlerësuar. Rifillova më i fortë se më parë. Sapo mbaroi gjithçka, bëra filmin tim të parë, “Filumena”. Ky ishte konfirmimi që më bëri të kuptoja se nuk mund dhe nuk duhet të ndaloj. Nëse ndalon në këtë botë, je i humbur. 

Veç vështirësive, profesioni i një aktori ka edhe momente të bukura e emocionuese, si komplimentet e ndjera.

Antonio Buonocunto: Isha në teatër. Isha në skenën e një spektakli me një dialekt tjetër. Kam dialektin napolitan, kurse në skenë flisja dialektin siçilian. Kjo shfaqje fliste për viktimat e pafajshme të mafies. Kisha një monolog në dialektin siçilian. Përpara meje ishte një publik i gjerë. Në teatër është errësirë dhe nuk duket askush, por dalloj një zonjë në errësirë, ishte e ngashërye nga të qarët me dënesë. E dëgjoja.

Në përfundim të shfaqjes i afrohem. Më kërkoi falje. Të më falni ju, ia kthej unë. Më thotë se falë performancës sime, arriti të kalonte një vështirësi të madhe. Ishte rreth gjashtëdhjetë vjeçe. Kishte njëzet vjet që nuk nxirrte pikë loti që kur bashkëshorti i saj u vra. Më tha se isha unë ai që e çliroi plotësisht. Dukej si një rrëfim. Ishte rrëfimi im që e çliroi. Filluam të qanim të dy. Nuk dija çfarë t’i thosha./TvKlan.al


Read Entire Article