E megjithatë vrasjet peshojnë më shumë se vjedhjet

2 hours ago 17

Nga Skënder Minxhozi/

Dy krerët më të lartë të Policisë së Shtetit në periudhën e 21 janarit 2011, janë paraqitur njëri pas tjetrit në SPAK në 24 orët e fundit.

Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçaj kanë deklaruar se kanë dhënë shpjegime mbi rolin e policisë në ngjarjet e asaj dite. Rreth asaj që thonë sot dy zotërinjtë në fjalë nuk ka ndonjë kuriozitet, pasi ata vijojnë të pretendojnë se nuk kanë shkelur asnjë rregullore apo ligj, megjithëse shteti vrau katër protestues të paarmatosur dhe të pafajshëm në dyert e selisë së qeverisë.

Kureshtja e opinionit publik është e gjitha e përqendruar tek sjellja dhe hetimet e drejtësisë së re, SPAK, BKH e më pas eventualisht edhe GJKKO. Hetimet ndaj korrupsionit të nivelit të lartë kanë rritur pritshmëritë edhe për shqyrtimin e drejtë të ngjarjeve të bujshme si Gërdeci e 21 janari, që vijojnë të mbajnë pezull debatin politik dhe interesin e opinionit publik shqiptar.

Sa herë vjen puna tek ngjarjet e Gërdecit dhe 21 janarit duket sikur ka një ngërç. Edhe në radhët e drejtësisë të pas vitit 2016, kur nisi të funksionojë skema e re e organizimit të prokurorisë dhe gjyqësorit.

Duket sikur të gjithë duan t’i largojnë nga tavolina e punës ato ngjarje të dhimbshme, që janë de facto dy nyjet më të nxehta dhe të pazgjidhura të dy dekadave të fundit në politikën shqiptare. I tremb gjaku dhe urdhëruesit e derdhjes së tij.

Vetëfrenimi vjen pasi në to janë përfshirë zyrtarët më të lartë të shtetit të para vitit 2013, figura politike që i kanë dhënë formë këtij vendi me karrierat e tyre, në to janë ndërthurur edhe interesat  ekonomike të familjarëve të tyre. Dhe e gjitha kjo me koston makabre të dyzinave të jetëve të pafajshme që u hodhën në erë nga baruti i armëve të demonstruara ose u vranë nga duar të veshura me pushtet në mes të kryeqytetit.

Altin Dumani ka qenë prokuror i ngjarjes së 21 janarit 13 vjet më parë. E megjithatë SPAK e refuzoi fillimisht me të gjitha energjitë e tij marrjen nën hetim të 21 janarit. E detyroi Gjykata e Lartë të kthente pas vendimin fillestar, prandaj sot shohim në dyert e prokurorisë së posaçme politikanë e kryepolicë që pyeten për vrasjet e bulevardit.

Këto orë janë shumë në modë dosjet me fakte e akuza të rënda që lidhen me pallate, vila, shtëpi plazhi e lloj-lloj luksesh që politika shqiptare i ka lejuar vetes ndër vite, duke abuzuar me pushtetin dhe votën.

Arrestimi i Ilir Metës ka kthyer me forcë në skenë temën e abuzimit me pushtetin. Është imperative që gjithçka të gjykohet deri në detaj, majtas apo djathtas, qeveri dhe opozitë, në katet e ulëta të shtetit por edhe në ato më të lartat. Drejtësia nuk duhet të shohë në sy askënd dhe tashmë e ka bërë një copë rrugë që të mund ta kryejë këtë detyrë pa skrupujt dhe stresin e fillimit.

Por nëse SPAK, GJKKO dhe institucionet e tjera të drejtësisë së re do të duan ta konsiderojnë të kryer misionin e tyre, Gërdeci dhe 21 janari janë dy gurë kilometrikë që kurrsesi s’mund të evitohen apo neglizhohen. Jo vetëm sepse logjika e thjeshtë dhe Kodi Penal e dënojnë më rëndë marrjen e jetës sesa zhvatjen e parave e korrupsionin, por edhe sepse ka qenë dhe është e pafalshme që të lejohet që politika shqiptare të shkelë e padënuar dhe arrogante mbi gjak dhe jetë njerëzish.

Të gjithë e kujtojmë sesi në 21 janar i gjithë shteti dhe partia që qeveriste vendin u angazhuan në një garë të pështirë për të fshehur të vrarët pas teorisë groteske të “puçit të shtetit”. Ish-drejtuesit e policisë që sot shkelin derën e SPAK vijojnë të tregojnë përrallën e grushtit të shtetit dhe të pafajësisë totale të qeverisë, megjithëse atë ditë shteti u kap me kallashnikov në duar teksa vriste qytetarët e vet.

Janë ngritur karriera politike që i kemi edhe sot në Kuvend e parti politike, mbi zellin prej “kmerësh të kuq” në 21 janar, Gërdec e më pas, për të fshehur vrasjet  e justifikuar qeverinë për atë që bëri. Ka ndër ta që sot bërtasin më fort se të tjerët kundër korrupsionit të Ramës dhe mirë bëjnë për këtë pjesë, por që ato ditë kërkonin ndëshkime gazetarësh, duke i fryrë teoremës së puçit e duke e konsideruar Gërdecin “aksident teknologjik”.

Këta kameleonë politikë duhet të na japin shpjegime  ne qytetarëve të këtij vendi sot, përmes hetimeve të SPAK, pse u sollën aq shpërfillës dhe të pandjeshëm me marrjen e jetëve në 21 janar dhe hedhjen në erë të një fshati të tërë, vetëm për të zbatuar një urdhër politik të Sali Berishës dhe partisë së tyre?!

Pa ndëshkuar vrasjet e politikës, por vetëm pallatet e vilat e saj abuzive, drejtësia shqiptare do e ketë kryer vetëm përgjysmë misionin që ka marrë përsipër për të çuar pas hekurave shtetarët që përdhunuan ligjin e institucionet. Sepse një gjë është të të vjedhë shteti, e një gjë tjetër është të të marrë edhe jetën.

Read Entire Article