Poeti dhe tekstshkruesi i qindrave këngëve, Agim Doçi është përcjellë për në banesën e fundit këtë të martë. Ai u nda nga jeta ditën e hënë pas dy ditësh i shtruar në spital pas një hemoragjie cerebrale.
Bashkëshortja dhe e motra vlerësojnë njeriun dhe poetin që e ndanë me publikun.
“Do ta mbaj mend Gimin me ato fjalë që i kam thënë që në fillim kur u lidhëm, që mua nuk më lidh asgjë me ty përveç patriotizmit dhe nacionalizmit tonë. Sepse ne të dy vinim nga dy familje të ndryshme, aristokratësh. Në fillim e refuzova, kur isha 18 vjeçe e pranova 30 vjet më vonë dhe jam martesa e tij e dytë.
I thashë të refuzova se fole gegnisht dhe gegnishtja ishte e pushkatuar në atë kohë. Agim Doçi nuk ka qenë asnjëherë vetëm i yni, ka qenë gjithnjë i të gjithë shqiptarëve”, tha e shoqja, Yllka Çausholli Doçi.
“Ai ka qenë jo vetëm vëllai im, por vëllai i të gjithëve me atë që ka bërë si poet e atdhetar” tha e motra, Teuta Doçi.
Homazhet për të u mbajtën në një shtëpi funerale, për çka reagimet qenë të shumta pse asnjë institucion shtetëror nuk hapi dyert për nderimin e tij.
Familjarët kanë rezerva sa i takon trajtimit që poeti pati nga shteti.
“Nuk është se na u ofrua ndonjë institucion për homazhe, mendoj se ai është shumë i kënaqur kështu sepse edonte dashurinë e njerëzve dhe jo të institucioneve”, tha e motra Teuta Doçi.
“Një mjeshtër i madh si Agim Doçi, që fjalën e lirë e kishte kryefjalën e shpirtit të vetë jo atë të shkruajtën, nuk arriti të marr pensionin që i ka takuar prej 11 vitesh sepse ishte Agim Doçi. Them se u vra politikisht”- u shpreh Yllka Çausholli Doçi.
Miqtë artistë që erdhën ta nderojnë qenë të shumtë. Në vlerësimet e tyre ata vunë në dukje mesazhet e poezive të tij.
Doçi u shua në moshën 76 -vjeçare dhe do të prehet në Tufinë. Pas lë një trashëgimi të pasur artistike.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb