Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi një vizitë në Itali, ku nënshkroi një marrëveshje për emigrantët, me homologen e tij Giorgia Meloni.
Rama ka zhvilluar një intervistë në programin televiziv italian “Cinque Minuti”, nën moderimin e gazetarit Bruno Vespa.
Në fokus të diskutimit ka qenë marrëveshja e arritur mes dy vendeve, në të cilat lideri shqiptar ka treguar më tepër detaje rreth mën yrës se si do të funksionojë.
-Mirëmbrëma Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, i cili sapo është kthyer në Tiranë nga Roma ku ka nënshkruar një marrëveshje, në një farë mënyre historike, me Giorgia Melonin, e cila parashikon ndihmën në dy porte shqiptare për emigrantët që janë ndaluar qoftë nga roja bregdetare apo nga marina usharake italiane. Kryeministër si lindi kjo marrëveshje?
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për ftesën! Është përherë një kënaqësi dhe nder të jem te ju. Kjo marrëveshje vjen nga mirënjohja e thjeshtë që gjendet gjithmonë brenda meje dhe brenda të gjithëve ne shqiptarëve kundrejt Italisë dhe kur Italia na kërkon të japim një dorë, edhe pse ne nuk mund të zgjidhim problemin e madh të emigrantëve, jemi të nderuar të japim një dorë. Kaq.
-Atëherë, menaxhimi i kampeve do të jetë italian.
Kryeministri Edi Rama: Bëhet fjalë për një qendër pritjeje dhe për një post ku do të procedohet me të gjitha verifikimet, me të gjitha regjistrimet. Çdo gjë është bërë sipas kritereve të mirëpërcaktuara të Bashkimit Europian.
-Gjatë këtyre ditëve edhe të mbijetuar të kampeve të shfarosjes naziste si Edith Bruck, madje dhe në Shqipëri ka pasur persekutime ndaj hebrenjve që gjithmonë kanë qenë të prirur për pritjen e këtyre njerëzve, sikur janë ngurtësuar sepse thonë që ka mundësi që nga vendet myslimane të mbërrijnë terroristë apo persona që janë kundër hebrenjve. Si e mendoni ju këtë?
Kryeministri Edi Rama: Po më bëni një pyetje me një peshë të jashtëzakonshme për një çështje, e cila për fat të keq po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar dhe që është pikërisht çështja se si të jemi Evropa e vlerave dhe e të drejtave që janë shumë të shtrenjta për ne dhe në të njëjtën kohë t’ia dalim të shquajmë midis atyre që vërtet largohen nga rreziku i vdekjes dhe atyre që përfitojnë apo që bien pre e trafikantëve e madje edhe rrjeteve që furnizojnë këtë lloj trafiku.
Ka vende evropiane, të cilat janë shprehimisht të mbyllura ndaj idesë për të pritur persona të besimeve të tjera fetare, të ngjyrave të tjera, por e kemi parë që kur erdhi fjala për refugjatët ukrainas, ishin shumë të hapur për t’i pritur, sepse për mbi të gjitha, ishin të bardhë dhe ishin të krishterë. Ndërkohë që, ka realitete të tjera në vende evropiane si Zvicra dhe jo vetëm që kanë qenë gjithmonë krahë hapur për të pritur të gjithë pa asnjë dallim, por që po kalojnë një moment shumë të vështirë.
Gazetari gjatë bisedës ka rikthyer në vëmendje situatën e emigracionit shqiptar në Itali përpara 30 vitesh, e sot sipas tij po ndodh e kundërta.
– 30 vjet më parë ishin shqiptarët që vinin në masë si emigrantë në Itali, ndërkohë që tashmë është e anasjellta. Shumë italianë vijnë në Shqipëri për të investuar në Shqipëri, e për të punuar në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama: Nëse sot, Shqipëria është destinacion për Italinë e nëse sot shqiptarët në Itali, por edhe në Shqipëri kanë një të ardhme, kjo vjen edhe në pjesë të madhe nga fakti që kur ne ishim refugjatë, kur ne largoheshim nga ferri, Italia na priti krahëhapur dhe na dha atë çfarë është gjëja më e çmuar për një qënie njerëzore, të ardhmen. Dhe në kërkim të së ardhmes, njerëzit janë të gjithë qënie njerëzore, pavarësisht nëse janë myslimanë apo të krishterë, por të gjesh një ekuilibër këtu është një çështje shumë e ndërlikuar.
Intervistën drejtuesi i programit “Cinque Minuti”, Bruno Vespa, preferoi ta mbyllte me një urim:
“Faleminderit, faleminderit kryeministër dhe shumë urime! Shpresojmë që t’iu kemi sa më shpejt në Bashkimin Europian”.
Top Channel