Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë në aktivitetin me fokus barazinë gjinore.
Në veprimtarinë “Roli i Parlamentit dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, Mbikëqyrja efektive e Zhvillimit të Qëndrueshëm, Objektivi për Arritjen e Barazisë Gjinore, ajo deklaroi se Kuvendi i Shqipërisë dhe i Kosovës, janë të angazhuar si korsi të Agjendës 2030.
Spriopali nënvizoi se barazia gjinore nuk është çështje e grave, por faktor drejt progresit, drejtësisë dhe paqes.
Fjala e plotë e Elisa Spiropalit:
Përshëndetje në takimin “Roli i Parlamentit dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm”, Mbikëqyrja efektive e Zhvillimit të Qëndrueshëm, Objektivi për Arritjen e Barazisë Gjinore, Tiranë, më 30 shtator 2024
Të nderuara kolege e kolegë, Zonja e zotërinj, duke uruar paraprakisht mirëseardhjen zonjave, mikeve tona, deputeteve nga Kosova në këtë takim, dhe duke ju falenderuar që më keni ftuar të mbaj fjalën e rastit në këtë aktivitet të rëndësishëm, më lejoni t’ju drejtohem fillimisht burrave që janë më pak në këtë sallë apo atyre që na dëgjojnë.
Sikur secili nga ‘ta, të pastajmen e takimit, të flasë me një burrë tjetër duke menduar qoftë dhe një çast të vetëm si grua, edhe ai vetë do të ndihet më mirë me veten, edhe rrugëtimi i gjatë i shoqërisë sonë për t’u bërë më e mirë, do të ketë një arsye më shumë për të qenë i tillë.
Bota e tyre do të ishte më e mirë nëse ata do të mundnin të mendonin qoftë dhe një çast të vetëm në ditë për gjysmën tjetër të kësaj bote, atë që mitologjia, historia, politika, rendet shoqërore, e superstrukturat në tërësi, kanë dashur ta nxjerrin në periferi në një betejë të gjatë të luftuar ndër shekuj dhe ende të pa fituar plotësisht; duke kuptuar se nuk mund të ketë progres e drejtësi, paqe në kuptimin më domethënës të kësaj fjale, e përpjekje më të ndershme e me më shumë dinjitet, se orvatjet për emancipimin e shoqërisë njerëzore duke i dhënë gruas hisen e saj nën këtë diell e vendin e saj të merituar në këtë tokë që nis këtu si një cikël pambarim dhe është një ndeshje e pandërprerë me traditën e mungesën e dijes dhe me gjithçka që e ndan automatikisht shoqërinë në dy gjysma të pabarabarta, ku njëra trashëgon, ruan apo çon më tej epërsi, e shpesh edhe dhunë, mbi tjetrën.
Duke thënë këtë, mendja dhe lutjet tona shkojnë që nga vatrat e nxehta të luftës reale ku gratë e fëmijët janë viktimat e para, në skaj të Evropës në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, në Afganistan apo edhe gjetkë ku të qenit grua nuk është vetëm dorë e fatit, por dhe fati i paracaktuar për të vuajtur përtej çdo mase.
Ndoshta askush tjetër në këtë sallë më shumë se miket tona nga Kosova nuk e ndjen si dhe sa ato këtë ndarje. Ndonjëra prej tyre, fëmijë në atë kohë, ndonjë tjetër më e re ose pak më e pjekur, ato kanë jetuar në kohën e përgjakur të Luftës së Kosovës duke parë tmerret e luftës dhe duke punuar tani në paqe për të larguar pasojat e asaj lufte të tmerrshme.
Respekt për to, simbolet e tyre të dhembjes dhe për çdo grua të aftë të lindë njeriun dhe ta mësojë sesi të respektojnë çdo grua si qenie njerëzore, të mëvetshmë dhe jo si trofe nderi apo vulë turpi.
Falenderimi shkon edhe Zyrën e UN Women në Kosovë, Agjensinë për Barazi Gjinore të Kosovës si dhe Agjencinë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Bashkimin Europian, për mbështetjen e këtij takimi dhe veprimtarive te tjera mbi zhvillimin e qendrueshëm, me fokus barazinë gjinore.
Të nderuar miq, objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm janë bërë tashmë një referencë e rëndësishme për të gjitha vendet. Ky orientim global i zhvillimit është i lidhur, madje i kërkuar, nga sinergjia e domosdoshme midis rritjes ekonomike dhe konsolidimit të sistemeve të mirëqenies, pra “përkthimin” e rritjes dhe zhvillimit ekonomik në një jetesë më të mirë e më cilësore për qytetarët.
Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Agjenda 2030 lidhen gjithashtu me angazhimin e përbotshëm për të ndërtuar vizionin dhe krijuar premisat që në perspektivë afatgjatë të eleminojmë, ndërsa në perspektivë afatmesme të zbusim format e ndryshme të pabarazisë.
Zhvillimet në botën e sotme janë asimetrike.
Asimetria më e dukshme është ajo midis zhvillimit global, zhvillimeve rajonale, zhvillimeve kombëtare të vendeve dhe zhvillimeve lokale brenda tyre.
Për të zbutur këto asimetri, janë ndërtuar mekanizma, struktura, programe zhvillimi, bashkëpunime e partneritete, janë mobilizuar burime, të cilat synojnë që pabarazitë në nivelet e mësipërme të zhvillimit të mos shndërrohen në barriera të rajoneve, vendeve dhe komuniteteve më pak të zhvilluara.
Në Shqipëri, asimetria më e dukshme ishte midis modelit të zhvillimit ekonomik dhe sistemit të mirëqenies sociale, “produkt” i të cilës rezultonte cilësia e ulët e mirëqenies dhe niveli problematik i varfërisë. Për dy dekadat e para të tranzicionit kemi pasur një rritje ekonomike, e cila nuk prodhonte punësim dhe, për pasojë, anonte drejt një rritjeje varfëruese. Për të shmangur këtë tendencë, politikat e zhvillimit gjatë dekadës së fundit kanë synuar sinergjinë midis nxitjes së zhvillimit, rritjes ekonomike të qëndrueshme, nxitjes së punësimit dhe uljes së varfërisë.
Kuvendi ka mbështetur me kuadrin e nevojshëm dhe adekuat ligjor zbatimin e programeve qeverisëse drejt objektivit të mësipërm.
Unë nuk kam as tagrin dhe as mundësinë të formuloj teza leksioni edhe në një çështje të tillë, por modestisht mund të vërej se gratë dhe vajzat, si gjysma e popullsisë që janë, kanë qenë subjekt më delikat si pasojë e aksesit më të pakët në burimet, politikat, programet dhe vendim-marrjet në shoqëri.
Ne jemi të vetëdijshëm jo vetëm për adresimin e kësaj situate që ka ardhur në përmirësim progresiv vit pas viti, por edhe e kemi shpallur si një prioritet bazë të politikave tona.
Dy angazhimet e rëndësishme të Kuvendit të Shqipërisë drejt Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Agjendës 2030 janë realizuar në mënyrë të njëkohëshme dhe në sinergji me njera-tjetrën, në dhjetor 2017. Përmes Rezolutës “Për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të Agjendës 2030 të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara”, Kuvendi i Shqipërisë ka theksuar përkushtimin e Shqipërisë për të integruar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm në politikat kombëtare dhe për të mbështetur zbatimin e tyre.
Rezoluta nënvizon rolin e rëndësishëm të qeverisë, Kuvendit, institucioneve publike dhe përfshirjes së aktorëve të tjerë, përfshirë shoqërinë civile dhe sektorin privat në arritjen e këtyre objektivave. Përmes Rezolutës “Për dënimin e dhunës ndaj grave e vajzave dhe rritjen e efektshmërisë së mekanizmave ligjorë për parandalimin e saj”, Kuvendi i Shqipërisë u angazhua për dënimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe për përmirësimin e mekanizmave ligjorë të parandalimit.
Në vitin 2021 Qeveria e Shqipërisë miratoi Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore, 2021-2030.
Përpjekjet tona na kanë dhënë rezultate në mjaft tregues sasiorë të pjesëmarrjes së grave e vajzave. Në Kuvendin e Shqipërisë kami caktuar objektiv rritjen e pjesëmarrjes së grave minimalisht me 40 përqind. Në këtë legjislaturë kemi 50 gra të zgjedhura deputete, të cilat përbëjnë rreth 36 përqind të numrit të deputetëve të Kuvendit, nga 29 përqind që ishte në zgjedhjet e vitit 2017. 5 nga 8 komisionet e përhershme të Kuvendit drejtohen prej kolegeve gra.
Gjysma e anëtarëve të Këshillit të Ministrave, 9 nga 18, janë gra. Këshillat bashkiakē kanē numēr tē barabartë grash dhe burrash.
Dhe ky nuk vetëm sukses shifror. Sepse mbas çdo drejtuesi grua, si në një efekt kaskadë, edhe bashkëpunëtoret e tyre gra dhe numri i drejtueseve të institucioneve të tjera ēshtë rritur nga viti në vit.
Është pozitive që Shqipëria dhe Kosova janë të përkushtuara ndaj Agjendës 2030 dhe kanë integruar buxhetimin gjinor në legjislacionin kombëtar, një tjetër dëshmi e përpjekjeve tona për të avancuar barazinë gjinore. Kjo përputhet edhe me treguesin përkatës ( 5.c.1) të Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm, i cili kërkon mobilizimin e burimeve publike për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave, drejt një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë.
Ka dhe praktika të tjera që Kuvendi i Shqipërisë ka marrë e të tjera që do të ndërmarrë në të ardhmen në këtë drejtim. Ne kuptojmë qartë se barazia gjinore nuk është as qëllim në vetvete, as një objektiv që targeton gratë dhe vajzat, por është një kontribut i domosdoshëm për gjithë shoqërinë, për demokracinë si sistem dhe kohezionin social si rrjedhojë.
Uroj që ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të shkëmbyer përvoja dhe për të mësuar nga njëri-tjetri si dhe për të ndarë ide të reja e praktika novatore.
Le të kuptojmë se çfarë kërkojmë dhe meritojmë, çfarë po bëjmë dhe çfarë duhet bërë më tej është një proces i hapur që nuk ka fund, është një luftë me beteja të përditshme. Le të bëjmë më të kuptueshme se nga kjo luftë me burrat bashkëluftëtarë e bashkëmendimtarë, dalin të gjithë fitues.
Ju faleminderit.