Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar në Mamurras. Policia njofton se një 40-vjeçar ka dhunuar bashkëshorten e tij, ndërsa gjatë kontrollit të kryer në banesë janë gjetur armë dhe fishekë.
Në pranga u vu Shkëlzen Reçi.
“Si rezultat i reagimit të Komisariatit të Policisë Kurbin, menjëherë pasi një 38-vjeçare kallëzoi se dhunohej nga bashkëshorti i saj, u mundësua kapja dhe arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, konkretisht Sh. R., 40 vjeç, banues në Mamurras. Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale, u krye kontroll në banesën e të arrestuarit, ku u gjetën 2 armë gjahu, 300 fishekë automatiku dhe 155 fishekë pistolete, që mbaheshin pa leje, nga 40-vjeçari.”, njofton policia.
Gjithashtu, policia i plotësoi 38-vjeçares, kërkesëpadinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme, si dhe sekuestroi armët dhe municionin./vizionplus.tv