Forcimi i mekanizmave rajonal të shtetit të së drejtës, Avokati i Popullit harton raportin

4 months ago 3

Avokati i Popullit ka hartuar raportin më të fundit të Shtetit të së Drejtës për Shqipërinë, në kuadër të raportit të përgjithshëm të Rrjetit Evropian të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut, për vendin tonë dhe të gjithë rajonin e Këshillit të Evropës.

NJOFTIMI I AVOKATIT TE POPULLIT
ENNHRI, si rrjeti që lidh të gjitha Institucionet Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (IKDNJ) në Evropë, përmes këtij raportimi të përbashkët, synon të mbështesë dhe të forcojë mekanizmat rajonal të shtetit të së drejtës. Raporti i këtij viti ka një fokus tematik në kontrollin dhe balancën e pushteteve, duke reflektuar mbi prioritetet e sugjeruara nga anëtarët e ENNHRI. Kontributi i Institucionit të Avokatit të Popullit përfshinë të dhënat e vitit pararendës mbi shtetin e së drejtës në Shqipëri, të organizuara në shtyllat kryesore të metodologjisë së këtij raportimi të përbashkët:

1. Zbatimi i rekomandimeve të aktorëve rajonalë dhe IKDNJ-ve, duke përfshirë fokus të veçantë në rekomandimet e Komisionit Evropian në kuadër të Raportit të BE-së për Shtetin e së Drejtës dhe Paketës së Zgjerimit.
2. Krijimi i IKDNJ-ve, pavarësia dhe efektiviteti i tyre.
3. Kontrollet dhe balancat.
4. Zbatimi i vendimeve të Gjykatave Evropiane.
5. Sfida të tjera të vazhdueshme për shtetin e së drejtës, përfshirë çështjet strukturore të të drejtave të njeriut.

Raporti përmban një përmbledhje të tendencave dhe sfidave të identifikuara nga anëtarët e ENNHRI në të gjithë Evropën, si dhe rekomandimet kryesore të tij. Në analizën e tij, Avokati i Popullit ka identifikuar problematikat dhe gjetjet kryesore të shtetit të së drejtës në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e një sistemi efektiv të kontrollit dhe balancës së pushteteve. Ndër rekomandimet përmbledhëse të këtij raporti, Institucioni i Avokatit të Popullit ka adresuar çështjet e mëposhtme:

– Ndryshime të nevojshme në ligjin organik të Avokatit të Popullit, për të qenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare, Parimet e Parisit dhe Parimet e Venecias.
– Politikat kombëtare duhet të kenë një qasje efektive për të garantuar respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe forcimin e rolit të Avokatit të Popullit në ndjekjen dhe zbatimin e tyre.
– Rritja e detyrimit të organeve të administratës publike për të zbatuar rekomandimet e Avokatit të Popullit.

Institucioni i Avokatit të Popullit mbetet i angazhuar për të kontribuar në përmirësimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article