Frika kryesore e gjermanëve, rënia ekonomike

1 year ago 18

Gjermanët janë të pakënaqur si kurrë më parë me qeverinë e koalicionit. Problemet akute për të cilat duhet të kujdeset qeveria janë ekonomia dhe imigrimi, thonë të anketuarit, sipas një sondazhi të ARD-së.

Në fund të pushimeve të verës, kancelari Olaf Scholz dhe ministrat e koalicionit u takuan në Meseberg për të folur pa dorashka për problemet e grindjet brenda koalicionit, për stanjacionin, kërcënimin nga recesioni ekonomik dhe se çfarë mund të bëhet kundër kësaj gjendjeje pesimiste brenda ekonomisë gjermane.

Temë tjetër ishte edhe performanca e qeverisë së koalicionit me debatet mes ministrave që e kanë dëmtuar imazhin e qeverisë. Më pak debate më shumë qeverisje, për këtë ranë dakord SPD, Të Gjelbrit e liberalët. Por a do të ndihmojë ky premtim?

Humbja e besimit tek qeveria

Gjermanët nuk kanë më shumë besim tek koalicioni qeverisës. Vetëm 19% e tyre janë të kënaqur me punën e qeverisë, sipas një sondazhi të televizonit ARD, Deutschlandtrend të kryer nga instituti Infratest-Dimap.

Për këtë sondazh u pyetën në fund të gushtit 1310 qytetarë me të drejtë vote. Pakënaqësia është e lartë edhe mes përkrahësve të një partie. Sidomos përkrahës të FDP-së kanë probleme me koalicionin ku bashkëqeveris partia liberale, katër nga pesë persona ushtrojnë kritikë të hapur.

Nuk është e pazakontë që qeveritë humbasin mbështetje, kur fillojnë punën e tyre. Megjithatë qeveri të tjera muaj përpara gjysmës së periudhës legjislative kanë arritur ta rifitojnë besimin e qytetarëve. Qeveria e koalicionit nuk ia ka dalë ende të rifitojë besimin, megjithëse është arritur gjysma e legjislaturës. Kjo reflektohet edhe në përgjigjet e të anketuarve; nëse do të zgjidhej tani një parlament i ri koalicioni i socialdemokratëve, Të Gjelbërve dhe liberalëve, ai si edhe më parë nuk do të kishte më shumicën parlamentare.

Ndërkohë në preferencën e votuesve kryeson CDU/CSU me 29%, e ndjekur nga AfD me 22%. Partia e kancelarit, Scholz, SPD arrin vetëm 16%. Të Gjelbrit kanë rënë në 14%, dhe liberalët në 6%. E Majta me 4% nuk do të arrinte të hynte në një Bundestag të ri. Ajo që bie në sy është pakënaqësia e gjermanëve me kancelarin Scholz. Sipas këtij sondazhi mospreferenca ndaj tij arrin një rekord të ri negativ. Vetëm çdo i katërti votues është i kënaqur me punën e kancelarit gjerman.

Olaf Scholz në tryezë ministrat e tij – Vetëm çdo i katërti votues është i kënaqur me punën e kancelarit gjermanOlaf Scholz në tryezë ministrat e tij – Vetëm çdo i katërti votues është i kënaqur me punën e kancelarit gjerman
Vetëm çdo i katërti votues është i kënaqur me punën e kancelarit gjermanFotografi: Markus Schreiber/AP/picture alliance
Fokusi tek ekonomia

Në Meseberg kancelari gjerman vendosi me kabinetin e tij një plan 10-pikësh të fokusit tek ekonomia. Sipërmarrjet do të marrin lehtësime miliardëshe tatimore dhe do të reduktohet burokracia. Masat për rigjallërimin e ekonomisë i përgjigjen edhe shqetësimit kryesor të gjermanëve. Sipas sondazhit të ARD gjendja ekonomike vlerësohet më negativisht se herët e mëparshme. 73% e të anketuarve e shohin atë si jo të mirë ose të keqe. Vetëm tek përkrahësit e partisë Të Gjelbrit gjendja vlerësohet e mirë.

Ndërkohë gati gjysma e të anketuarve në 12 muajt e ardhshëm llogarisin keqësim të gjendjes ekonomike. Dobësimi ekonomik është problemi më i madh, me të cilin lufton Gjermania aktualisht, sipas të anketuarve. Krahasuar me të kaluarën çështjet e koniunkturës dhe ekonomisë kanë fituar rëndësi më të madhe këto muajt e fundit.

Edhe tema e migracionit dhe refugjatëve shikohet me prioritet nga qytetarët gjermanë të anketuar, gati po aq e rëndësishme sa ekonomia. Kurse shqetësimi për luftën në Ukrainë ka humbur rëndësinë që e kishte më parë. Një temë tjetër e rëndësishme për qytetarët është edhe drejtësia sociale. Në Gjermani ka shqetësim në rritje për shpërndarjen e mirëqenies sociale. Tetë nga dhjetë të anketuar thonë, se në Gjermani nuk ka drejtësi sociale.

Për të mbështetur familjet, koalicioni qeveritar vendosi sigurimin bazë për fëmijët. 60% e qytetarëve e shohin këtë si hap pozitiv. Kurse në lidhje me subvencionimin e çmimit të energjisë për degët e ekonomisë me konsum të lartë energjie, qytetarët janë të rezervuar. Vetëm katër nga dhjetë të anketuar e mbështesin këtë ide. Shumë më tepër të anketuar, 72% mbështesin një kufizim më të lartë të çmimeve të qirave.

Top Channel

Read Entire Article