FSHF, ftesë talentit Luis Hasa për të luajtur me Shqipërinë

1 year ago 30
Reklamë

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon intensivisht punën e saj për rritjen, zhvillimin dhe monitorimin e talenteve brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë me qëllimin e qartë për të pasur skuadra kombëtare sa më cilësorë dhe konkuruese.

Në këtë kuadër, këtë javë ka filluar edhe projekti “Hap pas Hapi” nga Departamenti Teknik, i cili ka në fokusin e tij punën individuale me të gjithë lojtarët e ekipeve tona kombëtare të moshave që luajnë brenda vendit për t’i rritur ato në të gjithë elementët fizik-teknik-taktik, por edhe në aspekt ekipor.

Në të njëjtën kohë, prej vitesh FSHF ka ngritur një rrjet të madh skautësh për të evidentuar dhe ndjekur nga afër lojtarët e talentuar shqiptar që luajnë kudo nëpër botë.

Ky rrjet skautësh, që rritet dhe zgjerohet muaj pas muaji, sinjalizon Departamentin e Ekipeve Kombëtare për elementët më të spikatur të cilët më pas ftohen nga ekipet tona nga U-15 deri tek ekipi Kombëtar A.

Ne e kemi bërë dhe e bëjmë gjithmonë ftesën tonë publike, për çdo shqiptar që dëshiron të luajë me fanellën e Shqipërisë.

Nuk kishte sesi të mungonte një ftesë edhe për një talent të madh si Luis Hasa. Hasa ka qenë vazhdimisht pjesë e monitorimit të stafeve tona teknike dhe është ftuar për herë të fundit zyrtarisht më 18 maj 2022, siç shikohet në shkresën drejtuar klubit të “Juventusit”, për të luajtur me Shqipërinë U-21 në ndeshjet zyrtare ndaj Anglisë dhe Kosovës.

Njëkohësisht lojtari vazhdon të jetë në planet e stafeve tona dhe dera vazhdon të mbetet e hapur, jo vetëm për Luis Hasën, por për çdo talent shqiptar që e ndjen fanellën kuqezi. Ne e respektojmë zgjedhjen e tij, do ta respektojmë gjithmonë dhe e mbështesim në rrugëtimin e tij profesional.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Read Entire Article