Gara me kohën për të gjetur pengje

10 months ago 12
12:37 21/11/2023

Për Lishay Lavi, sulmi i 7 tetorit duket sikur ka ndodhur dje. Në atë sulm militantët e Hamasit rrëmbyen burrin e saj. Kaluan pak më shumë se gjashtë javë që persona të armatosur të Hamasit kanë bombarduar Kibbutz Nahal Oz. Në atë mëngjes fatal të 7 tetorit, Lavi, bashkëshorti i saj Omri Miran dhe dy vajzat e tyre u morën nga shtëpia dhe u mbajtën nën kërcënimin e armëve nga militantët. Pak para se personat e armatosur të nxirrnin zvarrë Omrin nga dhoma, Lavi dhe vajzat i dhanë lamtumirën e tyre teksa panë që babai i tyre u rrëmbye.

“I thashë katër fjali. I thashë që e dua, që do t’i mbrojë vajzat tona, se po e pres, mos u bëj hero, se dua të kthehesh këtu”.

Sipas të dhënave të qeverisë, Hamasi rrëmbeu të paktën pesë banorë dhe vrau 14 të tjerë gjatë sulmit të tyre në Kibbutz Nahal Oz. Lavi dhe dy vajzat e saj Roni dhe Alma tani jetojnë me prindërit e saj në Kibbutz Kramim, një komunitet i vogël në kufi me Bregun Perëndimor. 

Që nga ngjarjet e 7 tetorit, Lavi është detyruar të përballet me realitetin e mungesës së bashkëshortit të saj. Roni i saj dy vjeçar pyet pothuajse çdo ditë: “Ku është babi?” Tani për tani, Lavi thjesht thotë se ai ka humbur, por ajo dyshon se vajza e saj ka filluar ta kuptojë se diçka nuk shkon.

“Tani, e dini, pas disa javësh, vajza Roni ka filluar të bëjë pyetje. Ajo pyet: ‘ku është babi?’ Në fillim ajo mendoi se babi shkon në spital, sepse aty punon. Pas dy ditësh më thotë ‘Babi shkoi në një udhëtim’. Ndërsa mungesa e tij vihet re çdo ditë ajo më thotë babi ka humbur. Aktualisht ndiqem me psikolog. Por po përpiqem të jem e fortë, sepse kam një luftë tjetër për të bërë. Nuk jam vetëm unë. Vajzat e mia kanë nevojë për mua”.

Me kalimin e ditëve, Lavi dhe familja e saj po përpiqen me çfarëdo kanali të munden për të rikthyer Omrin edhe pse deri më tani nuk kanë dëgjuar asgjë për të që nga sulmi i 7 tetorit. Pengjet duke filluar nga foshnjat tek të moshuarit mbahen nga militantët e Hamasit në tunele nën Rripin e Gazës, të cilin ushtria izraelite e ka goditur çdo ditë që nga 7 tetori.

Familjet e pengjeve vijojnë të shprehin indinjatën e tyre se qeveria e Netanyahu nuk po bën asgjë. Ata u kërkuan ligjvënësve izraelitë të ekstremit të djathtë të mos ndjekin dënimin me vdekje për militantët palestinezë, pasi kjo mund të rrezikojë pengjet. Disa nga të afërmit e njerëzve të mbajtur rob nga Hamasi në Gaza shqetësohen se kjo mund të sjellë hakmarrje edhe pse shpresat për një marrëveshje për lirimin e disa prej tyre po rriten.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article