Një projektligj i ri është propozuar për mjekësinë ligjore, nëpërmjet të cilit synohet reformimi i mjekësisë ligjore.
Nevoja për ndryshime në ligj, vjen pas problematike që ka paraqitur vazhdimisht Instituti i Mjekësisë Ligjore, lidhur me pagesat për ekspertët e jashtëm apo pagesave që thirren nga gjykata për kryerjen e ekspertimeve mjeko-ligjore, mbingarkesën e punës së ekspertëve apo mungesën e infrastrukturës për kryerjen e autopsive në rrethe.
Për herë të parë, Instituti i Mjekësisë Ligjore do të krijohet dhe funksionojë mbi bazën e një ligji. Ky projektligj ka për qëllim përcaktimin e rregullave për mirëfunksionimin e mjekësisë ligjore në Republikën e Shqipërisë, si dhe unifikimin e procedurave për kryerjen e ekspertimeve në fushën e mjekësisë ligjore.
Sipas ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, me ligjin e ri, IML-ja do ti nënshtrohet reformimit të thellë që t’i përshtatet sfidave dhe dinamikave të kohës.
“Është një nga nismat tona më të rëndësishme. Nuk është ndërhyrë në këtë sektor që prej viteve 60′. Me ligjin e ri dhe risitë që ky ligj sjell, qoftë për funksionimin apo trajtimin financiar, i japim fund njëherë e mirë boshllëqeve dhe nevojave të krijuara ndër vite. Është bërë një punë shumë e mirë dhe besojmë se ligji i ri përputhet me të gjitha nevojat dhe sfidat e kohës”.
Top Channel