Gaza, nëna ribashkohet me foshnjen e saj

10 months ago 24
12:06 25/11/2023

E reja: Po humbisja shpresën për të parë fëmijën tim të gjallë

Një nënë e re është ribashkuar me fëmijën e saj pas 45 ditësh. E reja nuk mundi të gjente në fillim djalin, Anas, mes 31 foshnjave të vogla që sapo kishin mbërritur në Gazën jugore pasi u evakuuan nga spitali i shkatërruar Al Shifës.

“Dy ditë më parë ne pranuam 31 foshnja të lindura para kohe që ishin në spitalin Al-Shifa, 31 foshnjat mbërritën shëndoshë e mirë, por ne zbuluam se shumë prej foshnjave vuanin nga dehidratimi, dhe disa prej tyre vuajnë nga nivelet e ulëta të hemoglobinës, dhe kjo është për shkak të situatës në spitalin Al-Shifa dhe mungesës së mjeteve mjekësore, por falë Zotit ne i trajtuam në mënyrën e duhur dhe u dhamë lëngjet e nevojshme, si dhe bënë transfusion gjaku për disa nga foshnjat.”

Anas ishte një nga vetëm tre nga 31 foshnjat e shpëtuara nga Al Shifa që qëndruan në Gaza pasi të tjerët u transferuan në Egjipt. Megjithatë sipas mjekëve të spitalit ka dy foshnja të paidentifikuara.

“Disa nga familjet e foshnjave mundën të vinin në spital para se t’i transferonin në Egjipt, por ka një foshnjë të paidentifikuar ende këtu me ne në spital, ne po merremi me të në një mënyrë shumë profesionale dhe i ofrojmë atij gjithë kujdesin mjekësor, por ne nuk e dimë se ku është familja e tij apo me kë duhet të kontaktojmë për ta dërguar.”

Mjekët shpjegojnë se foshnjat nuk mund të dërgohen në Egjipt për tu mjekuar nëse nuk merret pëlqimi i prindërve.

“Është më mirë të jetë dikush nga familja e tij këtu sepse duhet marrë pëlqimi prindëror. Ne u kemi marrë leje familjeve për të gjitha foshnjat përpara se t’i transferojmë në Egjipt, por kjo  foshnjë nuk ka familje dhe ne nuk mundëm ta identifikonim sepse nuk mundëm të kontaktonim me asnjë familjar të tij.”

Edhe kësaj nëne ju ofrua për ta dërguar fëmijën e saj në Egjipt, por ajo e refuzoi si kërkesë.

32-vjeçarja, po jeton në një shkollë në Khan Younis, në jug të Gazës, e cila është bërë një strehë për qindra njerëz të zhvendosur nga veriu i vendit.

“Më ofruan që ta dërgoja në Egjipt që të përfundonte mjekimin atje, por unë nuk pranova, sepse kam edhe 7 fëmijë të tjerë dhe për shkak të luftës po qëndrojmë në një shkollë dhe nuk mund t’i lë vetëm ata me babanë e tyre, ai nuk do të mund të kujdeset për ta, kështu që unë isha e detyruar ta refuzoja këtë ofertë.”

E reja shpjegon se për shkkak të luftimeve i është dashur të qëndrojë larg të voglit.

“Ai ishte në spitalin Al-Shifa, unë kam qenë larg tij për 45 ditë, që nga fillimi i luftës. Jemi nga lagjja Shujaia e Gazës, nga pjesa lindore. Ne ikim menjëherë sapo u  përshkallëzua lufta, kështu që ne u shpërngulëm dhe qëndruam në një shkollë ku strehoheshin të zhvendosurit në lagjen Zeitoun, pastaj u zhvendosëm nga atje në Al Serab. Rruga për në Al-Shifa nga Serabi ishte e vështirë. Na thirrën nga spitali Al-Shifa për të ardhur të merrnim foshnjën, por e kishim të vështirë të ktheheshim. Rruga për ata që vinin nga Gaza ishte e hapur, por rruga e kthimit ishte e mbyllur, çdo automjet që po kthehej ishte në shënjestër të sulmeve izraelite.”

Gjatë 45 ditëve Ëarda Sbeta nuk kishte asnjë informacion për gjendjen shëndetësore të djalit të saj.

“Në periudhën e fundit kur izraelitët hynë në spitalin Al-Shifa, ne humbëm plotësisht çdo informacion  për foshnjën, nuk ishim në gjendje të dinim asgjë për të, a ishte gjallë? Ishte i vdekur? A kishte dikush që i jepte qumësht? Ne dëgjuam se të gjithë mjekët ishin evakuuar, se hebrenjtë i detyruan të gjithë mjekët në departamentin e pediatrisë të largoheshin nga spitali, ata nuk lanë foshnje atje, në këtë pikë ne ishim kaq të shqetësuar për të, dhe pastaj ia lamë Zotit dhe thamë se nëse ne kishim për qëllim ta takojmë atë, do ta takojmë dhe nëse jo, ia lëmë këtë Zotit.”

Për gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters ajo flet për emocionet që përjetoi kur u ribashkua me djalin e saj.

“Tre ditë më parë dëgjuam lajmin se po i zhvendosin foshnjat, ne nuk kemi internet dhe kur ka lidhja e internetit  është shumë e keqe,  ishte e vështirë të kontaktoja me njerëzit, njerëzit në shkollë na thanë se po transferonin foshnjat, kështu që unë shkova me burrin tim për të kërkuar fëmijën tonë në spitalet në jug, dhe kur arritëm në spitalin Nasser, ata na thanë se ai është në këtë spiatal këtu. Arritëm në spitalin që na thanë se foshnjat e lindura janë në katin e sipërm. U ngjitëm lart dhe aty ishin foshnjat e lindura para kohe. Sapo hyra brenda, pashë foshnja të porsalindura të plagosura, po humbisja shpresat se do ta shihja fëmijën tim të gjallë. Kishte foshnja të mbushura me pluhur nga mbeturinat e spitalit.

Bashkëshorti im më pas foli me shefin e departamentit dhe pa të dhënat me emrin e foshnjës sime, u ndjeva sërish e gjallë, mirënjohës Zotit që tani e kemi fëmijën tonë të sigurt dhe në kujdesin tonë”.

Edhe 29-vjeçari, Hani al-Shafei, nuk ishte i sigurt nëse do ta shihte ndonjëherë sërish gruan dhe vajzën e tij. Për disa javë, familja e  mbeti e bllokuar në Gaza për shkak të luftës.

Ai bëri bëri thirrje përmes videove në rrjetet sociale që të hapej kalimi në Rafah për të lejuar që gruaja dhe vajza e tij të kthehen tek ai. Megjithatë, kjo nuk ndodhi menjëherë

“Nuk mund ta besoj, shikoj përreth dhe nuk mund ta besoj që të gjithë jeni kthyer shëndoshë e mirë. Kur pashë Tian, ​​kuptova qe ajo kishte ndryshuar plotësisht. Është sikur po shoh një person tjetër. Më është kthyer shpirti”.

Bashkëshortja e tij Maram, 27 vjeç, e cila ka nënshtetësi palestineze dhe po udhëtonte me vajzën e saj Tia për të vizituar familjen në Gaza, kur papritur e gjeti veten të bllokuar kur lufta.

“Ne vazhdimisht kishim frikë. Nëse donim të flinim, përpiqeshim të shkonim në shtrat rreth orës 8 pas namazit të akshamit, faleshim dhe flinim dy orë, por rrinim zgjuar gjithë natën për shkak të zhurma e avionëve dhe e dronëve që nuk u zhdukën kurrë. Edhe sikur zhurma të largohej për një kohë, ne ndjenim edhe më shumë frikë.”

Konflikti mes Izraelit dhe Palestinës ëshët rindezur disa herë edhe në të kaluarën, por për 27-vjeçaren palestineze shpërthimi i fundit i konfliktit ishte më i rëndi.

“Unë kam përjetuar pothuajse çdo luftë në Gaza, duke përfshirë luftërat në 2008 dhe 2014. Kishte një që zgjati 52 ditë. Të gjitha ishin të vështira, por kjo luftë e fundit, nëse pyesni ndonjë palestinez, kjo ishte më e vështira që ne jemi përballur ndonjëherë”.

E  reja shpreson për një fund të konfliktit, por thotë se pasojat e luftës do të jenë prezente për një kohë të gjatë.

“Kjo luftë është e ashpër, edhe nëse përfundon, në dashtë Zoti, dhe palestinezët dalin prej saj të sigurt , askush nuk do të jetë mirë. Ata do të kenë ende nevojë për trajtim. Nuk është e lehtë. Zoti i ruajtë.”

Klan News


Read Entire Article