Në procesin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, deri tani kanë dëshmuar mbi 100 dëshmitarë.
Derisa po vlerësohet që procesi po shkon drejt fundit, zyra e Prokurorit në Dhomat e Specializuar ka njoftuar të premten se nuk do të mbështetet në deklaratat e 12 dëshmitarëve në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Njoftimin e kanë bërë përmes një parashkrimi ashtu siç ishte bërë e ditur në njërën prej konferencave mbi ecurinë e çështjes në këtë rast duke shtuar se deklarata e tetë dëshmitarëve të tjerë do t’i dorëzojë me shkrim në vend të dëshmive në gjykatë.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Ardian Bajraktari.
Ai thotë se reduktimi i listës së dëshmitarëve shkon në funksion të shkurtimit të procedures.
Ardian Bajraktari
“Rishikimi përkatësisht reduktimi i listës së dëshmitarëve shkon në funksion të shkurtimit të procedurës e cila tashmë është e konfirmuar se është e stërzgjatur”, u shpreh ai.
Më tej, avokati thekson që është detyrë e prokurorit të gjej prova shfajësuese ashtu siç përkujdeset për provat fajësuese.
Avokati tutje jep një këshillë për palët mbrojtëse.
“Vlen të ceket se është detyrë e prokurorit që të përkujdeset që krahas provave fajësuese të sigurojë edhe prova shfajësuese, andaj vlerësoj se pala mbrojtëse duhet të analizojë me kujdes këto dëshmi për të parë në rast se janë relevante dhe më tepër nëse shkojnë në favor të të akuzuarve në këtë proces gjyqësor”, përfundoi avokati Ardian Bajraktari për “Bota sot”.
Kujtojmë që edhe në të kaluarën ZPS-ja ka hequr dorë nga disa dëshmi të dëshmitarëve, e po shumë të tjera janë dorëzuar me shkrim.
Vlen të theksohet gjithashtu që procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit ka nisur në prill të vitit 2023, derisa në paraburgim janë që nga viti 2020.