Ish-Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka qenë në “shënjestër” të një organizate kriminale, të cilët kishin planifikuar eleminimin fizik të tij.
Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj, ka mësuar se kjo ngjarje është regjistruar rreth 3 muaj më parë. Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari Barkaj, një anëtar shumë i rrezikshëm i një organizate kriminale ka planifikuar të vrasë ish-kryepolicin Gledis Nano.
Paraprakisht dyshimet janë për shkak të hetimeve për të njëjtin grup në kohën që ishte drejtues i Antiterrorit.
Nuk dihet saktësisht në çfarë kushtesh është kuptuar nga policia, por blutë asnjëherë nuk kanë bërë me dije për një planifikim të tillë të mundshëm për eliminimin e Nanos.
Gledis Nano mbajti për rreth 10 muaj postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ai u shkarkua nga kjo detyrë në 31 gusht të vitit 2022.
Nano ka një karrierë 19-vjeçare në Polici, ku para se të emërohej kryepolic, drejtoi për 5 vite Antiterrorin, ku u vlerësua edhe nga Ambasada amerikane për përpjekjet e përbashkëta në luftën botërore ndaj terrorizmit.
Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia. Pak ditë më parë Nano ishte në një vizitë në SHBA.
/Vizionplus.tv/