Norvegjezi debuton me dy gola në sezonin e ri
Sezon i ri por histori e vjetër. Manchester City e nisi me këmbë të mbarë mbrojtjen e titullit në Premier League angleze.
Kampionët në fuqi të kompeticionit nuk hasën aspak vështirësi përballë Burnley, për t’i mposhtur 3-0 në transfertë, falë edhe Erling Haaland. Norvegjezi shënoi një dopietë golash në këtë duel, për të hedhur menjëherë kandidaturën jo vetëm për Këpucën e Artë të kampionatit, por edhe për shumë rekorde që do mund të thyej në këtë sezon. Në listën e golashënuesve nuk mungoi as heroi i Cityt në Champions League e shkuar, Rodri, me golin që vulosi edhe fitoren e skuadrës nga Manchester.
Fitorja ka lënë shije të mirë tek trajneri Pep Guardiola.
“Ishte një start i jashtëzakonshëm. Ndeshjet e para janë kaq të rëndësishme për të parë atmosferën në skuadër. Kemi luftuar dhe kemi krijuar shumë raste. Në pjesën e dytë ishin të mrekullueshëm.”
Kjo ishte sfida e 12-të pa fitore e Burnley përballë Cityt, që humbet shërbimet e Kevin De Bruyne për një kohë të pacaktuar për shkak dëmtimi.
Klan News
Të ngjashme