DURRES
Hapi siparin në Durrës dita e parë e festivalit “Liri dhe Transformim”, i cili solli në qytetin bregdetar personalitete të artit dhe kulturës britanike.
Në 4 panelet e eventit e morën fjalën shkrimtarë, publicistë dhe mendimtarë që diskutuan mbi historinë, të drejtat e njeriut, çështjet e sigurisë dhe migracionit, politikën dhe poezinë.
“Janë 2 ditë me debate mbi tema të ndryshme, kemi ftuar një sërë shkrimtarësh. Aktiviteti organizohet në kuadër të Javës së Kulturës Britanike“, thotë ndër të tjera Lea Ypi, kuratore e aktivitetit.
Organizimi i një eventi të tillë kulturor në Durrës përbën një emocion më vete për kuratoren e festivalit, Lea Ypi, pasi këtë edicion të parë ajo e nis në qytetin e saj të lindjes.
“Të kthehesh pas kaq e kaq vitesh me një aktivitet kulturor në një qytet ku edhe je rritur, me gjithë ato vështirësitë e asaj periudhës së tranzicionit, por edhe me gjithë përkujdesjen që kanë treguar qytetarët e Durrësit, kthimi ka qenë shumë i vështirë“, deklaroi Ypi.
Për kryetaren e bashkisë së Durrës, Emiriana Sako, organizimi i një ngjarje të tillë kulturore ndërkombëtare në qytetin bregdetar mbart një rëndësi të veçantë.
“Shkëmbimi kulturor midis shteteve të ndryshme dhe Shqipërisë, por edhe qyteteve të huaja me Durrësin është gjithmonë në rritje dhe besojmë fort tek lidhja dhe njohja përmes historisë, artit të çfarëdolloj forme, kulturës“, theksoi ndër të tjera gjatë fjalës së rastit kryebashkiakja.
Me dy ndalesat e tij në Durrës dhe Tiranë, festivali “Liri dhe Transformim” synon të jetë një fundjavë britaniko-shqiptare, që premton të kthehet në një festë të letërsisë, artit dhe fuqisë së tyre transformuese me disa nga mendimtarët kryesorë të botës.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb