Harris letër shqiptarëve në Amerikë: Faleminderit që e pasuruat vendin tonë me vlera, Shqipëria promovuese e stabilitetit

1 week ago 56

Në prag të zgjedhjeve në Amerikë, 5 nëntor, kandidatja demokrate Kamala Harris në një letër drejtuar komunitetit shqiptaro-amerikan ka shprehur mirënjohje të thellë për kontributin e paçmueshëm që ky komunitet ka dhënë ndër vite në zhvillimin dhe forcimin e SHBA-së.

Duke vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan, Harris nënvizon në letër se ky komunitet është një shembull frymëzimi për të gjithë amerikanët, veçanërisht për rolin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe angazhimin social në qytetet dhe komunitetet në të gjithë vendin.

“Nga pronarë të bizneseve të vogla tek profesionistë në mjekësi, drejtësi dhe shërbim publik, Shqiptaro-Amerikanët kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e ekonomive lokale dhe forcimin e strukturës sociale të qyteteve dhe fshatrave të panumërta në të gjithë vendin”, shkruan Harris në letër.

Harris thekson lidhjen historike mes SHBA-së dhe Shqipërisë, duke e cilësuar vendin tonë si një aleate të palëkundur të NATO-s dhe promovuese të stabilitetit rajonal, si dhe kontributin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Për më shumë se një shekull – duke filluar që nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore – Amerikanët dhe Shqiptarët kanë ndarë një lidhje të veçantë. Deri në ditët e sotme, Shqiptaro-Amerikanët kujtojnë që ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që dolën në mbrojtje të pavarësisë së Shqipërisë në atë moment vendimtar”, vijohet në letër.

Harris nënvizon gjithashtu përkushtimin e SHBA-së në mbështetjen ndaj Kosovës demokratike dhe shumetnike, të integruar plotësisht në komunitetin ndërkombëtar. Për komunitetin Shqiptaro-Amerikan brenda SHBA-së, ajo premton mbështetje për të siguruar mundësi të barabarta.

Letra e plotë e Kamala Harris për komunitetin shqiptaro-amerikan

Shqiptaro-Amerikanët kanë dhënë kontribute të paçmuara për vendin tonë për breza të tërë, duke sjellë duke treguar një përkushtim të thellë ndaj familjes, komunitetit dhe luftës për liri. Janë qindra mijëra shqiptarë amerikanë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe qëndrueshmëria e komunitetit shqiptaro-amerikan vazhdon të na inspirojë të gjithëve.

Shqiptaro-Amerikanët kanë bërë kontribute të rëndësishme në strukturën e kombit tonë, duke pasuruar komunitetet me shpirtin e tyre ndërmarrës, vlerat e forta familjare dhe një përkushtim të thellë ndaj arsimit dhe angazhimit qytetar. Nga pronarë të bizneseve të vogla tek profesionistë në mjekësi, drejtësi dhe shërbim publik, Shqiptaro-Amerikanët kanë luajtur një rol kyç në zhvillimin e ekonomive lokale dhe forcimin e strukturës sociale të qyteteve dhe fshatrave të panumërta në të gjithë vendin.

Për më shumë se një shekull – duke filluar që nga Konferenca e Paqes në Paris pas Luftës së Parë Botërore – Amerikanët dhe Shqiptarët kanë ndarë një lidhje të veçantë. Deri në ditët e sotme, Shqiptaro-Amerikanët kujtojnë që ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që dolën në mbrojtje të pavarësisë së Shqipërisë në atë moment vendimtar. Dua të ritheksoj partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleate e palëkundur e NATO-s, dhe unë jam mirënjohës ndaj Shqipërisë për promovimin e stabilitetit në rajon, si dhe për udhëheqjen e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë muajve pas pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia. Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr gjithashtu aleatët dhe partnerët evropianë për të mbështetur pavarësinë historike dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të mbështesin një Kosovë shumetnike, demokratike, të integruar plotësisht në komunitetin ndërkombëtar.

Në vendin tonë, unë kuptoj sfidat unike me të cilat përballen shumë prej komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe jam e përkushtuar ndaj politikave që mbështesin komunitetin Shqiptaro-Amerikan, përfshirë mbështetjen për një ekonomi me mundësi të barabarta dhe mbrojtjen e të drejtave civile për të gjithë. Pjesëmarrja e Shqiptaro-Amerikanëve në demokracinë tonë është më e rëndësishme se kurrë. Së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat tona të përbashkëta. Faleminderit për gjithçka që kontribuoni për këtë vend të madh.

Read Entire Article