Studiuesi, gazetari, shkrimtari dhe historian britanik, Timothy Garton Ash, ishte i ftuari i radhës i episodit të tetë të podkastit “Flasim” nga Kryeministri Edi Rama.
Historiani Timothy Garton Ash ndodhet në Tiranë për të prezantuar librin e tij “Vendet e mia”, për të cilin tha se iu deshën 50 vite për ta shkruar me 50 udhëtime përreth Europës duke mbajtur shënim gjithçka.
“Unë e përshkruaj shpesh veten si “historian i së tashmes” dhe është interesante që qysh prej kohëve të Thukididit – i pari historian i mirëfilltë – deri në shekullin e 18-të, njerëzit mendonin se historia e kohës kur jeton, është historia më e mirë, pasi, në fund të fundit, atë njohim më mirë, botën në të cilën jetojmë vetë. Është një ide mjaft e rishtë, që e ka zanafillën vetëm në shekullin e 19-të, sipas së cilës duhet të presësh 30 a 40 vjet. M’u deshën 50 vjet për ta shkruar këtë libër, 50 udhëtime përreth Europës, duke mbajtur shënime mbi gjithçka. E vetmja gjë që di është sesi ishte të ndodheshe atje. Si ishte të gjendeshe në Gjermaninë Lindore, gjërat që bëheshin nga Stasi ose kur u rrëzua Muri i Berlinit, ose gjatë Revolucionit të Kadifenjtë në vitin 1990 apo në Kosovë në vitin 1999. Ajo çfarë di tani janë pasojat. Mendoj që nuk janë në kundërshti, janë plotësuese.”– tha historiani.
Kryeministri Edi Rama e pyeti sesi e shkruan Timothy Garton Ash historinë, duke qenë se është edhe gazetar, pra shkruan historinë apo I përcakton lexuarit një drejtim.
“Nuk është problem, është një avantazh i madh – të dy, në thelb, janë në kërkim të së vërtetës. Është shumë e thjeshtë. Detyra e të dyve është të qëmtojnë të vërtetën dhe këtë e bëjmë në mënyrë paksa të ndryshme, e vrojtojmë paraprakisht, vijmë të flasim me një kryeministër – mëson shumë duke folur me kryeministra – por edhe duke u ulur nëpër biblioteka apo arkiva për të lexuar dokumente të 50 vjetëve më parë. Kështu që, nuk mendoj që kundërshtia qëndron këtu, kundërshtia vjen kur fillon të mendosh – unë e quaj “riti i Kisingerit” – kur e mendon veten si vendimmarrës dhe gati përpiqesh të jesh një qeveri dhe të bësh politikën e qeverisë, në vend që të bësh atë që është puna jonë, përpjekjen për të kërkuar të vërtetën dhe për ta thënë atë siç është, duke i thënë pushtetit të vërtetën. Pra, këtë kam menduar që kam bërë, gjithmonë.”-tha ai.
Duke folur për ‘Brexit’, Garton Ash e cilësoi si disfatën më të madhe politike të jetës së tij.
‘’Për mua, Brexit-i ishte disfata më e madhe politike e jetës sime. E gjithë jeta ime është sjellë rreth Europës, unë jam një europian anglez, kështu që shkëputja e Britanisë nga Europa është tragjedi për Britaninë, por mendoj edhe për Bashkimin Europian dhe të ardhmen e Europës. Megjithatë, nuk mendoj se Brexit-i e ka prerë atë lisin e britanizmit që përshkruat. Mendoj që vazhdon të jetë aty’’- u shpreh historiani.
Lajmi në përditësim…
Top Channel