I 12-të në historinë e Shqipërisë/ Nis Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023, penalitete për qytetarët që refuzojnë, ja çfarë duhet të dini

1 year ago 58

Balkanweb app Get it on Google Play

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023, nisi zyrtarisht sot, përmes INSTAT.

Censi do të sigurojë një panoramë të gjendjes aktuale të popullsisë së Shqipërisë, ku përfshihen aspektet sociale, ekonomike, lëvizjet demografike dhe shumë të dhëna të tjera, të cilat do të tregojnë qartësisht si dhe ku jetojnë qytetarët e Shqipërisë në 2023.

Numërimi i të gjithë popullsisë dhe banesave, është operacioni më i rëndësishëm statistikor në vend, dhe bazuar në këto të dhëna, institucionet do mund të planifikojnë saktë ndërhyrjet dhe shërbimet e nevojshme për banorët.

Ky është censi i 12-të në historinë e Shqipërisë, i cili vjen 100 vjet pas censit të parë, zhvilluar në vitin 1923 dhe falë zhvillimeve teknologjike pritet që të zbatojë plotësisht standardet europiane të zhvillimit të censeve.

Për këtë proces janë punësuar rreth 7 mijë persona. Kostoja totale parashikohet të shkojë 16.9 milionë euro.

Mbledhja e informacionit do të realizohet duke shkuar në çdo shtëpi. Nëse një qytetar refuzon të bëhet pjesë e censit të popullsisë parashikohen penalitete, që variojnë nga 50 deri në 100 mijë lekë.

Të gjithë personat të cilët jetojnë në një familje do të numërohen. Çdo person i moshës 18 vjeç e sipër mund t’i përgjigjet vetë pyetjeve.

Anketuesit do të pyesin mbi informacione personale, arsimin, gjendjen shëndetësore, punësimin dhe elementë të tjerë të jetesës. Gjithashtu, Censi përfshin pyetje rreth etnisë, besimit fetar dhe gjuhës.

Megjithatë, mund të thoni se nuk preferoni t’u jepni përgjigje këtyre pyetjeve specifike. Censi nuk përfshin pyetje rreth gjendjes suaj financiare (të ardhurat, kursimet, etj.) apo preferencave politike.

Anketuesi mban përsipër të hedhë të dhënat në tabletë dhe t’ia dërgojë INSTAT-it elektronikisht. Të dhënat e secilit janë të mbrojtura me ligj dhe kodohen në mënyrë që informacioni individual të mos identifikohet

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article