Policia e Lushnjes ka arrestuar pak ditë më parë Artan Tafanin, të riun e shpallur në kërkim si autor i grabitjes së një exchange në zonën e Astirit në Tiranë.
Gazetari i Vizion Plus Esido Barkaj mëson se nga rrëfimi i Tafanit, i cili është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë janë zbardhur 6 vrasje, 2 në Greqi, në Tiranë, Elbasan dhe Berat, ndërsa janë firmosur gjithashtu edhe 15 urdhër-arreste.
Pas kësaj dëshmie, policia ka nisur kontrollet kryesisht në Lushnje dhe Elbasan për të kapur emrat të cilët janë artikuluar nga dëshmia e të penduarit që u kap për grabitje.
Operacioni ka vijuar që prej mesditës së sotme. Në mesin e personave që ka përmendur Tafani si autorë vrasjesh janë edhe emra të njohur të botës së krimit.
Që prej identifikimit policia ka pasur dyshime të përfshirjes së Tafanit në aktivitete të theksuara kriminale, pjesë e një grupi me bazë në disa qytete.
Tafani është mbajtur në vëzhgim për disa kohë dhe më pas është ndërhyrë për arrestimin në Lushnje. Kapja e tij është mbajtur sekret për shkak të hetimeve dhe rrëfimeve që po bënte për ngjarjet kriminale. Këtë të mërkurë i është komunikuar masë në Tiranë dhe në vijim pritet t’i komunikohen edhe 2 masa të tjera.