Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani zhvilloi një vizitë të shkurtër pune në Paris, në Inspektoratin e Përgjithshëm të Drejtësisë së Francës, ku u mikprit nga homologu i tij z. Christophe Straudo. Gjatë takimit z. Metani dhe z. Straudo vlerësuan praktikën e shkëmbimit të eksperiencave ndër vite mes dy shërbimeve të inspektimit të Francës dhe Shqipërisë, si dhe bashkëpunimin,si pjesë e Rrjetit Europian të Shërbimeve të Inspektimit (RESIJ). Dy homologët bashkëndanë idetë mbi rëndësinë e rolit të institucioneve që drejtojnë, sa i takon pavarësisë në punë dhe ndikimit në sistem, në forcimin e standardeve më të mira profesionale e të etikës sëmagjistratëve, si një kontribut real për forcimin e besimit të qytetarëve tek drejtësia dhe shteti i së drejtës.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë zhvilloi një takim pune me prokurorin e përgjithshëm pranë Gjykatës së Lartë, z. Remy Heitz, i cili e njohu z.Metani me ndryshimet kushtetuese të vitit të kaluar në Francë, edhe në rolin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për vendimmarrjen në procedimin disiplinor, në cilësinë e tij si kryetar i këtij Këshilli për prokurorët, e më tej për cështje të deontologjisë, në kuadër të funksionit të tij si zëvendës kryetar i bordit të Shkollës franceze të Magjistraturës.
Në takimin me gjyqtaren Valérie Delnaud, që drejton kabinetin e Ministrit të Drejtësisë, u fol për sfidat e ngjashme të sistemit të drejtësisë në Francë dhe Shqipëri, si dhe eksperiencën franceze, që fokusohet tek procesi para-disiplinor, pra parandalimi, para sanksionimit disiplinor të magjistratëve.
Në funksion të kësaj qasje, Ministria franceze e Drejtësisë ka ngritur Kolegjin e Deontologjisë, që përbëhet nga personalitete jo vetëm të drejtësisë, nën drejtimin e një veterani të sistemit, magjistrati François Feltz, ish drejtues i Inspektoratit francez të drejtësisë, me të cilin z.Metani u ndal në cështje të etikës e deontologjisë së magjistratëve.
Cështje të deontologjisë së magjistratëve por edhe shkëmbimi i eksperiencave profesionale ishin në qendër të takimit që Inspektori i Lartë i Drejtësisë pati me drejtoren e Shkollës franceze të magjistraturës znj.Nathalie Roret. Drejtorja Roret e njohu z.Metani me projektin e afërm të bashkëpunimit me Shkollën shqiptare të Magjistraturës.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb