Ish-legjenda e Arsenalit paralajmëron pensionimin e Sakas nga futbolli

6 months ago 16

Bukayo Saka është paralajmëruar se ai mund të detyrohet të tërhiqet nga futbolli në moshën 24-vjeçare për shkak të numrit të madh të ndërhyrjeve të palejuara që shkaktohen ndaj tij.

Saka, i cili është njëri nga lojtarët më të rëndësishëm të Arsenalit, është në mesin e lojtarëve më të faulluar në Ligën Premier.

Krahas faktit që ai ka pësuar disa ndërhyrje brutale, 22-vjeçari ka humbur vetëm një ndeshje në ligë këtë sezon, teksa ka luajtur një seri prej 27 ndeshjeve duke ndihmuar ‘Topçinjtë’ në luftën për titull.

Sidoqoftë, ish-legjenda e klubit Bob Wilson ka shprehur shqetësimin e tij për të ardhmen e yllit të Anglisë.

82-vjeçari i cili ka luajtur 308 ndeshje për Arsenalin, beson se Saka mund të detyrohet të pensionohet në moshë të hershme nga futbolli, nëse gjyqtarët nuk bëjnë një punë më të mirë në mbrojtjen e tij.

“Ajo që më çmend mua është se ne kemi një ndër lojtarët e rinj më të mirë, dhe nëse nuk jemi të kujdesshëm, futbolli do ta humbasë atë gjatë kohës kur ai është 24-25-vjeçar sepse Bukayo Saka do të detyrohet të pensionohet”, është shprehur Wilson.

“Gjyqtarët duket se nuk duan ta shohin ose ta kuptojnë këtë. Ka minimumi dy lojtarë afër Sakas ndonjëherë edhe tre. Nëse ata nuk mund ta ndalin atë, atëherë e godasin”.

“Asnjë lojtar në Ligën Premier nuk është goditur aq shumë sa Bukayo Saka. Nëse ai përballet me një pozitë sulmuese dhe mbrojtësit i dalin përpara, kjo është koha kur shqetësohem. Unë ndihem i shqetësuar për Bukayon”, përfundoi ai./Telegrafi/

Read Entire Article