Zyrtari i lartë i Byrosë federale të Hetimit, Charles McGonigal u përlot sot kur u dënua me 50 muaj burg në një institucion federal për bashkëpunimin financiar me një oligark rus duke iu shmangur sanksioneve të SHBA.
55 vjeçari McGonigal, gjithashtu u gjobit me $40,000 për aktivitetin korruptiv gjatë drejtimit të kundër-inteligjencës së FBI në New York nga 2016 deri në 2018, pasi kishte pranuar akuzat në gusht
“[McGonigal] e dinte se po shkelte sanksionet,” tha gjykatësja e Manhattan, Jennifer Rearden teksa jepte dënimin.
“Por megjithatë ai vazhdoi, duke e ditur se rrezikonte sigurinë kombëtare,” shtoi ajo.
Ironikisht, më herët i dënuari kishte ndihmuar në hetimet për lidhjet e supozuara me Rusinë të ish Presidentit Donald Trump.
Ish-drejtuesi i FBI pranoi një akuzë pastrimi parash dhe shkelje të ligjit mbi Emergjencat Ekonomike Ndërkombëtare të SHBA, që marrin një dënim maksimal prej pesë vjetësh.
“Marr përgjegjësinë për veprimet e mia dhe pranoj dhimbjen e zhgënjimin që i kam sjellë vetes e familjes”, tha McGonigal në ndjesën e tij.
Ai më pas kërkoi klauzolën e “mëshirës” gjyqësore duke thënë se kishte kërkuar të rehabilitohet, ndërsa shtonte se për punën në FBI, kishte “dashuri e respekt.”
Prokurori Hagan Scotten dënonte veprimet e McGonigal si “tradhti” duke thënë se ato nuk ishin diçka e voglë si “të hapte një restorant apo të niste një karrierë të dytë IT.”
“Kredencialet e tij ai përpiqej t’i kthente në para të thata”, tha prokurori.
Avokati i mbrojtjes Seth Ducharme tha se duhej të merreshin në konsideratë 22 vitet e shërbimit të McGonigal me FBI, për uljen e dënimit.
Bashkëpunëtori i tij rus Deripaska, një nga njerëzit më të pasur në Rusi, është bërë milioner me privatizimet e aseteve shtetërore pas shpërbëries së Bashkimit Sovjetik.
Pas largimit nga FBI në 2019, McGonigal punoi për një kompani që kontestonte sanksionet ndaj Deripaska.
McGonigal pranoi se ka përfituar $17,500 duke punuar për Deripaska dhe kundër një rivali të tij.
Paratë për të vinin nga një bankë ruse në Qipro drejt një kompanie në New Jersey në pronësi të miqve të McGonigal, dhe më pas në llogarinë e tij.
McGonigal gjatë kohës që punonte për Deripaska, ka pasur rreth $850,000 të ardhura, një apartament në Manhattan dhe një makinë Mercedes.
McGonigal kërkohet gjithashtu për përfitimin e 225,000 dollarëve nga një agjent i inteligjencës së Shqipërisë dhe është akuzuar se është takuar fshehtësisht me kryeministrin shqiptar Edi Rama kur punonte për FBI.
Për këtë çështje ai ka pranuar vetëm një akuzë të fshehjes së materialeve në shtator, ndërsa dënimi i saj veçmas do të jepet në shkurt./NewYorkPost/
Top Channel