Izraeli kërkon liderë te Hamasit në tunele

10 months ago 24
22:58 06/12/2023

Udhëheqësit e G7-s bëjnë thirrje për pushim tjetër humanitar për të shmangur viktimat civile

Skenat e përgjakshme të luftës mes Izraelit dhe Hamasit arritën qytetin Rafah të enklavës, skaji më jugor, ndonëse ushtria e ka përcaktuar si të sigurtë për civilët.

Nëntë palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën të mërkurën pas një bombardimi izraelit. Pamjet e korrespondentit të agjencisë Reuters shfaqin trupat e vrarë dhe plot të plagosur, një burrë me të dyja këmbët e prera poshtë gjunjëve, duke u larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa të tjerë kërkojnë me duar nëpër rrënoja.

Qindra mijëra palestinezë janë larguar tashmë nga Gaza Veriore në jug gjatë luftës dymujore.

Forcat izraelite po veprojnë në zemër të qytetit më të madh të Gazës, Khan Younis në një betejë shtëpi më shtëpi. Ushtarët filluan “bastisjet” në qendër të Khan Younis-it, qytet të cilin e identifikuan si një simbol të sundimit ushtarak dhe administrativ të Hamasit. Avionët luftarakë izraelitë bombarduan gjithashtu objektiva përgjatë brezit bregdetar me popullsi të dendur.

Fëmijë të plagosur mbushën urgjencën e spitalit Al Nasser. Frikë, panik dhe kaos. Fëmijët qëndrojnë të mpirë përtokë dhe të mbuluar me gjak nga predhat izraelite, prindërit e tyre gjithashtu.

Ushtria izraelite zbuloi një magazinë armatimesh, përfshirë raketa të ndryshme, granata, dronë dhe pajisje shpërthyese në Gazën Veriore.

“Na frikësuan. Na thanë shkoni në jug se është e sigurt, nuk do t’ju ndodhë asgjë atje. U nisëm për në jug. As siguri asgjë, siguria është vetëm me Zotin. Nuk ka vend të sigurt në Gaza. Zoti hakmerret”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se forcat izraelite kanë rrethuar shtëpinë e liderit të Hamasit, Yahya Al-Sinwar.

“Shtëpia e tij mund të mos jetë fortesa e tij dhe ai mund të shpëtojë, por është vetëm çështje kohe para se ne ta kapim,” tha Netanyahu në një deklaratë.

Izraeli beson se shumë udhëheqës dhe luftëtarë të Hamasit janë të ngujuar në tunelet nëntokësore. Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat al-Qassam, tha se lufta është e ashpër. Banorët thanë se bombardimet izraelite u intensifikuan gjatë natës, duke vrarë dhe plagosur civilë.

Qindra mijëra njerëz të mbetur të pastrehë në veri po kërkojnë dëshpërimisht strehim në jug, zonë e përcaktuar si e sigurt nga Izraeli.

Të shtyrë më tej në jug duke i shpëtuar bombardimeve, palestinezët e zhvendosur të strehuar në Rafah rreth një kilometër nga kufiri me Egjiptin, thonë se kanë frikë se do të detyrohen të kalojnë kufirin.

Rreth 1 km larg kufirit egjiptian, Mahmoud Wahba, një ish i burgosur në Izrael dhe aktualisht i zhvendosur në Rafah, u zotua të qëndrojnë në Palestinë pavarësisht presioneve.

 “Ne nuk do të ikim, do të qëndrojmë mbi trupat e pajetë të të gjithë njerëzve këtu. Kjo është toka ime, ky është atdheu im, toka e të parëve të mi.”

Zyra humanitare e OKB-së tha në një raport të mërkurën se shumica e të pastrehëve në Rafah po flenë jashtë për shkak të mungesës së çadrave. Në Gjenevë, shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut tha se situata është “apokaliptike” dhe akuzoi dyja palët për shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

Udhëheqësit e G7-s, duke përfshirë ShBA-në, aleatin e ngushtë të Izraelit, bënë thirrje për armëpushim të mëtejshëm humanitar “për të trajtuar krizën e përkeqësuar në Gaza”.

Klan News


Read Entire Article