Nga Eduard Zaloshnja
Policia e Shtetit ka disa prioritete në punën e saj, por prioritet mbi të gjitha prioritetet mbetet gjithmonë siguria e jetës së shtetasve – si kudo në Europë. Dhe në fakt, duket se në tremujorin e parë të këtij viti puna e policisë tonë ka dhënë fryte – Shqipëria i është afruar fare pranë indeksit të Bashkimit Europian për vdekshmërinë nga krimet dhe aksidentet rrugore.
Kështu, nga 1 janari deri më sot, kanë ndërruar jetë gjithsej 5950 banorë të Shqipërisë. Por vetëm 41 prej tyre vdiqën nga krimet apo aksidentet rrugore. Pra këtë tremujor, indeksi i vdekshmërisë nga krimet dhe aksidentet rrugore rezultoi vetëm 6.9 për çdo 1000 vdekje gjithsej (ose ndryshe, 0.69% e gjithë vdekjeve). Vjet në Bashkimin Europian ky indeks ishte 5.7 për mijë, ose 0.57% e gjithë vdekjeve.
Në të njëjtën periudhë tremujore të vitit të shkuar në Shqipëri, ky indeks ishte 10.3 për çdo 1000 vdekje gjithsej. Dhe duke krahasuar indeksin aktual me atë të së njëjtës periudhë të vitit të shkuar, rezulton se këtë tremujor ky indeks është ulur plot 33% brenda një viti (edhe pse numri i automjeteve në qarkullim në Shqipëri është rritur pothuaj 8% gjatë së njëjtës periudhë).
Për referencë, para një dekade, ne ishim baraz për këtë indeks me fqinjin tonë të ngjashëm, Malin e Zi. Ndërsa vjet, iu afruam mesatares së Bashkimit Europian (shihni Grafikun 2).
SHËNIM: Që indeksi ynë i vdekshmërisë nga krimet dhe aksidentet rrugore të barazohet me atë europian, duhet të vijojë pakësimi i krimeve brenda familjes dhe vdekjeve ndër kalimtarë, biçiklistë e motoçiklistë, të cilat kanë rrënjë të thella kulturore-historike. Për të zgjidhur probleme të tilla, lipset një përqasje multi-dimensionale…