Një ‘Elbasan’ sivjet, ose një ‘Pogradec’ para 4 vjetësh, do të kishin ndryshuar rrjedhën e SHBA-së

3 days ago 24

Nga Eduard Zaloshnja/

Bashkia Elbasan, sipas regjistrimit më të fundit të popullsisë, ka 115 mijë banorë. Në qoftë se kaq votues në shtetet Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin nuk do të kishin votuar për Trumpin, por për Kamalën, kjo e fundit do t’i kishte fituar zgjedhjet.

Bashkia Pogradec sipas regjistrimit më të fundit të popullsisë, ka 46 mijë banorë. Në qoftë se kaq votues në shtetet Arizona, Nevada, Xhorxhia dhe Uiskonsin nuk do të kishin votuar para katër vjetësh për Presidentin Biden, por për Trumpin, ky i fundit do t’i kishte fituar zgjedhjet.

Shumë gjëra do të kishin rrjedhur ndryshe në SHBA e në botë prej një “Pogradeci” të para katër vjetëve, dhe shumë gjëra do të rrjedhin ndryshe prej një “Elbasani” të sivjetshëm.

Në sistemin zgjedhor presidencial amerikan nuk ka rëndësi sesi votojnë 160 milionë pjesëmarrës në zgjedhje – rëndësi ka sesi votojnë një grusht votuesish (sa popullsia e Elbasanit apo sa e Pogradecit) në disa shtete kyçe për garën presidenciale.

Sipas kushtetutës amerikane, mandatin presidencial nuk e fiton kandidati me më shumë vota në rang kombëtar, por ai që ka më shumë elektorë të tij në Kolegjin Elektoral.

Kolegji Elektoral përcaktohet nga votimi në çdo shtet një herë në 4 vjet në SHBA, dhe përbëhet nga 538 elektorë të 50 shteteve të federatës amerikane (numri i elektorëve për secilin shtet varet nga popullsia e çdo shteti). Në shtetet ku fiton një kandidat demokrat, caktohen elektorë të përzgjedhur prej tij. Ndërsa në ato ku fiton një kandidat republikan, caktohen elektorë të përzgjedhur prej tij. Për t’u shpallur fitues, njëri nga kandidatët në garë duhet të ketë të paktën 270 elektorë që votojnë për të.

Uashington, DC, edhe pse nuk e ka statusin e shtetit, dërgon 3 elektorë në Kolegjin Elektoral. Vetëm shtetet Maine dhe Nebraska dërgojnë elektorë sipas një parimi të përafërt proporcional. Kudo tjetër, përdoret parimi mazhoritar (kandidati që fiton qoftë edhe me 0.0001% epërsi në një shtet, siguron gjithë elektorët e atij shteti).

Ndër dekada ka patur përpjekje të shumta për ta ndryshuar sistemin elektoral presidencial në SHBA, por për ta ndryshuar atë duhet ndryshuar Kushtetuta. Dhe ndryshimin e saj duhet ta miratojë Kongresi me 2/3 e votave, si edhe ta miratojnë 2/3 e 50 shteteve përbërëse të federatës amerikane. Praktikisht e pamundur!

Shënim historik: Në vitin 2000 Bushi i fitoi zgjedhjet falë një epërsie në Florida prej vetëm 504 votash (sa popullsia e Baldushkut), pavarësisht se Al Gore mori gjysmë milionë vota më shumë në rang kombëtar. Më 2016 Trumpi i fitoi zgjedhjet falë një epërsie në Miçigan, Pensilvani dhe Uiskonsin prej vetëm 77 mijë votash (sa popullsia e Lushnjës), pavarësisht se Hillary Clinton mori 2 milionë vota më shumë në rang kombëtar. …

Read Entire Article