Kanë mbetur edhe pak ditë nga mbajtja e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë marrë një vëmendje të jashtëzakonshme, në mbarë botën.
Derisa, gara presidenciale e vitit 2024 ndodhet në fundjavën e saj të fundit, sondazhet tregojnë se Kamala Harris dhe Donald Trump kanë një mbështetje pothuajse të barabartë.
Kësisoj, edhe në këtë fazë të fundit të fushatës, çdo ditë ka rëndësi.
Mes gjithë diskutimeve dhe pritshmërive për këto zgjedhje, ka pasur edhe deklaratat me atë se si do ndikojnë rezultatet e këtyre zgjedhjeve edhe në Kosovë, dhe në rajonin e Ballkanit në përgjithës.
Në këtë pikë, pritet të kenë ndikim të ndjeshëm këto zgjedhje në të ardhmen e Kosovës, derisa dihet roli i madh që ka pasur dhe ende e ka SHBA në pavarësinë dhe shtet ndërtimin e vendit tonë.
E për ndikimin e zgjedhjeve presindenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, folën njohësit e çështjeve politike.
Ramabaja: Trump-i është simptomë e ndryshimeve në rrafshin global dhe me karakter epokal
E në lidhje me rëndësinë që kanë zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në Kosovë dhe më gjerë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli profesori Sadri Ramabaja.
Fillimisht, ai tregoi se çka në realitet përmban politika e Trump dhe si mund të ndikonte ardhja e tij në pushtet, në gjeopolitikën dhe rendin botëror.
“Për Trump-in, politika është si gjithë luftrat brutale, por nëse luftrat kryesisht bëhen për territore, kjo që bën Trump-i është për pushtet. Kjo do të thotë se ai përshtatet luftës për rendin e ri botëror.
Trump-i është simptomë e ndryshimeve në rrafshin global dhe me karakter epokal: epoka e lirisë pasohet nga epoka e xhunglës, ku sundimi do të kalojë në duart e më të fuqishmëve. Prandaj një mandat i dytë për Trumpin do të thotë shumë botën.
Çfarëdo që Donald Trump-i thotë dhe bën është pjesë e një shfaqjeje të çmendur dhe për rrjedhojë ajo magjepsë personalitetin e Trump: pranë tij, të gjithë të tjerët duken si milingona. Ky është pikërisht rreziku më i madh ku po rrëshqet shoqëria amerikane. Amerikanët, një shtresë e madhe sosh, kanë shpërfaqur një lloj prirje që të mbivlerësojnë vetë-promovuesin që po thyen çdo konventë”.
Krahas kësaj, Rambaja konsideron se situata gjeopolitike aktualisht është e rrëshqitshme, por që sipas tij, nuk është Trump, ai që po e shkatërron rendin botëror liberal.
Sadri Ramabaja.
“Sa do ta ndryshonte botën një presidencë e dytë e Donald Trumpit? Kjo është pyetja e gabuar. Është më e rëndësishme të merret në konsideratë se sa mund të përshpejtojë ndryshimin. Dhe situata gjeopolitike aktualisht është e rrëshqitshme, prandaj ne e perceptojmë si një zingjirë krizash.
Kritikët e akuzojnë Trumpin si izolacionist. Në vend që të promovojë tregtinë e lirë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, ai propagandon nacionalizmin dhe proteksionizmin. Kjo është e saktë.
Por nuk është Trump ai që po shkatërron rendin botëror liberal, situatën historike të veçantë në të cilën Uashingtoni siguroi një kornizë unipolare dhe mjaft të qëndrueshme. Ajo që filloi me rënien e Murit të Berlinit dhe mori një fund të pakthyeshëm me tërheqjen nga Afganistani ishte një rastësi fatlume për Perëndimin, shton më tej Gujer në komentin e tij që zumë në gojë më lart”, theksoi profesori.
Në vazhdim, ai foli për politikën amerikane ndër vite, dhe për ata se si Trump i qaset asaj dhe faktit se ky i fundit e cilëson si një ide qesharake “të garantosh sigurinë e Evropës falas”.
“Megjithatë, fakti që një fuqi e vetme e madhe mund të lërë gjurmë në një epokë në mënyrën që bëri Amerika nga viti 1989 deri në 2021 është një anomali. Trumpi e njohu këtë momentum politik dhe pasojat e tij më herët, dhe ai veproi në mënyrë më të qëndrueshme se presidentët e tjerë. Edhe paraardhësi i tij, Barack Obama, nuk ishte më i gatshëm të luante rolin e policit botëror. Ai mori pjesë vetëm pa dëshirë në përmbysjen e diktatorit libian Gadafi dhe braktisi opozitën siriane ndaj Asadit, kasapit të Damaskut.
Por Trump-i, si përfaqësues tipik i darvinizmit politik, si i tillë, ai pohon imperativin e së tashmes në politikë. Për të është një ide qesharake të garantosh sigurinë e Evropës falas. Po aq qesharake sa ideja se Uashingtoni do ta ndihmonte Ukrainën të fitonte ndërkohë që BE-ja do të vazhdojë të hezitojë për veprime konkrete që do ta ndalnin përparimin e Putinit drejt pushtimit të plotë të saj dhe pozicionimit për luftën e re...”.
Gjithashtu, profesori nënvizoi edhe politikat e Rusisë, Kinës, ku krahasoi me atë të SHBA-së.
“Trumpi e ka të qartë se Rusia e ka kapërcyer tashmë epokën e nanuritjes që pësoi me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe po pretendon sërish pozitën e një fuqie të madhe ushtarake. Në anën tjetër me shpejtësi pothuajse marramendëse, Kina është ngritur nga një vend në zhvillim në një konkurrent serioz të SHBA-së. Kjo është e qartë në monedhën më të vështirë të pushtetit: ushtrinë. Që nga viti 2005, marina e Kinës është rritur nga 216 në 370 anije dhe nuk ka asnjë shenjë për një fund të riarmatimit. Marina e SHBA-së, nga ana tjetër, u tkurr nga 1000 anije në vitin 1960 në pak më pak se 300 tani”, shpjegoi ai.
Më tej, Ramabaja duke komentuar këto zhvillime, kërkoi nga dy shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria të rishikojnë strategjinë për vitet pasuese.
“Por Trumpi tashmë, shih për këtë, e ka të qartë se edhe sikur Uashingtoni të donte, ai nuk mund t'ia imponojë fuqive në ngjitje vullnetin e tij, ashtu siç bën në rendin botëror liberal. Tërheqja relative e Amerikës nuk është një trill, por më tepër një pranim i fuqisë së faktit. Ashtu siç nuk është një trill as rigrupimi i fuqive në ngjitje dhe rikrijimi i aleancave të reja. Shqipëria politike dhe Kosova, prandaj bëjnë mirë të rishikojnë strategjinë për vitet pasuese konform këtij procesi, duke u rirreshtuar qartë në grupimin anglosakson të partnerëve amerikan që tashmë po ripozicionohen qartë.
Pavarësisht rrjedhave në sferën e gjeopolitikës moderne dhe betejën që po bën Federata Ruse tok me Kinën për një rend të ri botëror, Shtetet e Bashkuara nuk mund të përqendrohen në kontinentin e tyre siç bënë në shekullin e 19-të. Aleanca e bllokut anglosakson, ku do të përfshihen përveç Britanisë së Madhe edhe vendet e Baltikut, Polonia dhe pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit, është aleanca e qëndrueshme të cilës i përkasin edhe dy republikat tona”.
Në fund, profesori shtoi se priten ndryshime të forta në Ballkan, nëse vjen Trump në pushtet.
Madje, kërkoi nga shqiptarët të bëhen gati për shtegun historik “që na shpie drejt krjimit të Federatës Shqiptare, si e vetmja rrugë për mbijetesë”.
“Me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, tranzicioni në rendin e ri botëror, gjykojnë me të drejtë studjuesit e fushës, do të ishte edhe më i vështirë. Ballkani, për shembull, mund të presë edhe më pak prej tij sesa nga Biden-i e edhe më pak se sa nga pasuesja e mundshme e tij, Kamala Harris. Për të, partneriteti nuk ndërtohet mbi vlera, por bazuar në logjikën e biznesit!
Prandaj, me Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë fillon periudha e luftës për mbijetesë së Republikës së Kosovës në përballje me ekspansionin serb për realizimin e projektit ambicioz Botës Serbe.
Bota ndodhet mes dy të këqijave të mëdha: të djathtës së re fundamentaliste me elemente të fashizmit modern dhe të majtës liberale të somnabulosur. Prandaj demokracia liberale e tillë siç e njohim ne në këto vite të dominimit të saj në Europë, po ecë drejt shpërfytyrimit të pashmangshëm të vetvetes. Prandaj në gjeopolitikën postmoderne bëhet fjalë për rikthim tek vetvetja edhe në rrafshin e organizimit politik e nacional, e që për shqiptarët d.m.th se duhet të bëhemi gati për kapërcyellin e shtegut historik që na shpie drejt krjimit të Federatës Shqiptare, si e vetmja rrugë për mbijetesë.
Ky konkluzion nënkupton faktin që zgjedhjet dhe rezultati i tyre në SHBA duhet ta forcojnë bllokun indipendist të nacionalizmit progresiv shqiptar që aktualisht përfaqësohet nga Lëvizja Vetëvendosje”, përfundoi Sadri Ramabaja për “Bota sot”.
Halimi: Shpresojmë shumë se do të fitojë Kamala Harris!
Jeton Halimi
Kurse, analisti tjetër, Jeton Halimi shpreson në një fitore të Kamala Harris, pasi vlerëson se ka bërë një fushatë dhe ka një plan politik më të mirë se Donald Trump.
Ai në prononcimin e tij për “Bota sot”, theksoi se rezultatet e zgjedhjeve në SHBA, pritet të ndikojnë shumë edhe në Kosovë.
“Rezultatet mund të ndikojnë shumë në Kosovë, nëse fiton ish-Presidenti Trump, ai ka paralajmëruar gjatë prezantimit të tij nëpër televizionet në Amerikë se do t’i shtyjë proceset përpara në Ballkanin Perëndimor me një dinamik shumë të shpejt, sidomos me Kosovën dhe Serbinë.
Shpresojmë shumë se do të fitojë Kamala Harris, pasi ka bërë një fushat shumë të mirë dhe ka qenë në debate shumë më profesionale se kundër kandidati i saj Trump, dhe ka shpalosur programin e saj për ta qeverisë me SHBA-në në katër vitet e ardhshme”, tha analisti.
Ndër të tjera, përmendi edhe lidhjet e Trumpit me Putinin dhe qasjen ndaj luftës në Ukrainë.
“Fitorja e Trumpit do të thotë humbja e luftës në Ukrainë. Ai ka paralajmëruar se do t’i ndalë ndihmat/fondet e Amerikës për Ukrainën, ku edhe dihet botërisht se, raportet mes Putinit dhe Trump janë shumë të mira.
Populli amerikan, e di shumë mirë se politikat e demokratëve janë shumë më të mira se të republikanëve. Kamala Harris është me ngjyrë dhe afroamerikanët jonë populli në Amerikë që jetojnë dhe punojnë atje, ku sigurt votojnë për Kamala Harris”, përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.