“Unitet, qeveri teknike, reformë zgjedhore dhe rikthim i paketës së vitit 2020, vota e diasporës dhe zgjedhje të lira dhe fitorja në 2025, janë objektivat e Partisë Demokratike”, u shpreh kreu demokrat Sali Berisha në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së.
Me sloganin ‘Të bashkuar në diversitet’, Berisha kërkoi nga demokratët që të bëjnë çdo përpjekje për të bashkuar edhe atë 1%, sipas tij, që nuk u është bashkuar, por edhe përtej PD-së, me qëllimin për të rrëzuar Edi Ramën.
“Fitorja vitin e ardhshëm është në duart tona. Pra kur PD të fitojë vitin e ardhshëm, fjalimi i fitores do të hapet me fjalët: Gëzuar ditën e parë të rikthimit të demokracisë”, tha Berisha.
Referuar të dhënave të Censit, Berisha tha se Eurostat tregoi se 35% e shqiptarëve kanë ikur nga Shqipëria në 8 vite.
“Ndërkohë që regjistrimi i përgjithshëm apo censusi i Edi Ramës që duhej të publikohej ditën e përfundimit të tij në tetor të vitit që kaloi, u manipulua, falsifikua për 8 muaj për të fshehur gjenocidin më të madh të kryer ndaj kombit shqiptar në histori, nga Pashiqi i Tiranës, Edi Rama”, shtoi ai.
Duke u rikthyer te teza e bashkimit të demokratëve, Berisha tha se detyra e parë është uniteti.
“99% e demokratëve janë të bashkuar, por edhe 1% që ka mbetur është në detyrimin tonë të bëjmë çdo përpjekje që edhe ata të vijnë në shtëpinë e tyre dhe jo vetëm si numër, por të bëjmë të ndihen njëlloj si ne, të bëjmë zërin e tyre që të dëgjohen.
T’i japim vlerë të barabartë secilit në familjen tonë.
Por uniteti duhet të shtrihet edhe përtej PD. Koha ka ardhur të njohim frontin më të gjerë opozitar që ka njohur Shqipëria për shpëtimin e vendit.
Me shembullin që sollëm ne si PD, të bashkimit në diversitet, tani është koha të bashkohemi në diversitet frontin opozitar të shpëtimit të Shqipërisë.
Ka individë sot, në parti të vjetër dhe të rinj, që janë kundërshtarë të PD të liderit të saj, dhe do të vazhdojnë të jenë edhe nesër. Por ndonëse kundërshtarë në platforma ne duhet të jemi aleatë kundër të keqes, sepse vota e lirë duhet të bashkojë çdo forcë politike opozitare që i beson lirisë dhe pluralizmit politik.
Sepse uria e fëmijëve shqiptarë është alarm rrënqethës dhe se çdo diferencë që kanë partitë opozitare duhet të ngrihen mbi to, për të luftuar të keqen e madhe të saj.
Sepse shpopullimi i Shqipërisë është sirena lemeritëse që duhet të shuajë çdo mospajtim midis partive opozitare.
Prandaj të jesh opozitar sot do të thotë të jesh kundër narkoshtetit të Edi Ramës në çdo drejtim.
Por cilido që është opozitar, na pëlqen ne apo jo, ne jemi të detyruar të bashkohemi me të për të rrëzuar Edi Ramën prandaj uniteti në diversitet, në pluralitet është detyra jonë e ardshme.
Detyra jonë e dytë është përgatitja e kushteve për zgjedhje të lira, specifikisht qeveri teknike që të çojë vendin në zgjedhje të barabarta. Prandaj harta drejt fitores është shtruar para nesh. Fjalën e pamundur duhet ta fshini, ta zhgarrvisni nga fjalori i mundësive sepse e provuam tashmë që për PD nuk ekziston.
Le të jetë 11 korriku dita e konkretizimit të një realiteti të ri, të një realiteti me të cilin shqiptarët kudo që janë të shohin urganin e shpresës, besimit dhe fitores së tyre”, tha ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb