“Këtu i bazojnë vendimet...”/ Vjen paralajmërimi për Trump: Kështu mund të veprojë për Kosovën dhe Serbinë

2 hours ago 31

Pas fitores në zgjedhjet e 5 nëntorit, Donald Trump do të jetë përsëri president i Shteteve të Bashkuara të Amerikë, ku do të inaugurohet si presidenti i 47-të i SHBA-së më 20 janar 2025.

Në mandatin e parë, Trump ishte shume aktiv në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë përmes emisarit të tij, Richard Grenell, por që tani janë ngritur pikëpyetje se çfarë qasje do të ketë administrata e tij ndaj procesit të dialogut Kosovë-Serbi, proces ky që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Lidhur me këtë, ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit aktivist shumë vjeçar i çështjes kombëtare në SHBA, Faton Bislimi, për gazetën “Bota sot” thotë se fitorja e Donald Trumpit do të ketë një fuqi jashtëzakonisht të madhe.

“Fitorja e Donald Trump është historike. Ai arriti të bëhet Presidenti i parë në 120 vitet e fundit që fitoi dy mandate jo të njëpasnjëshme (i pari në krejt historinë amerikane që kishte bërë ketë ishte Grover Cleveland). Tutje, fitorja e Trump ishte një "trifecta" ngase pos presidences, Republikanet arritën të marrin edhe kontrollin e Senatit dhe të ruajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësueseve. Fuqia e një administrate në ardhje Trump do jetë jashtëzakonisht e madhe”, shprehet Bislimi.

Sipas tij, qasja e administratës Trump karshi dialogut Kosovë-Serbi, pa dyshim do të jetë shumë më ndryshe nga ajo që kishte ndjekur Biden.

“Përderisa nuk shoh se do ketë ndonjë ndryshim madhor në substancën e politikës së jashtme karshi Kosovës, qasja definitivisht do jetë ndryshe. Republikanet në përgjithësi e Trump në veçanti, janë unilateralistë. Vendimet nuk i bazojnë në arritjen e kënaqshmërisë për të tjerët, por kryekëput në linjë me interesat vetanake të SHBA. Ky është edhe dallimi thelbësor me Demokratët që janë multilateralistë, pra, provojnë t'i kënaqin të gjitha palët e involvuara në një çështje të caktuar”, thekson Bislimi për “Bota sot”.

Por a ka rrezik që të rikthehet edhe njëherë në tavolinë tema e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë?

“Nuk do të thoja se ka rrezik direkt për Kosovën e as se shkëmbimi i territoreve do kthehet në tavolinë. Fundja, kjo ide, siç njihej nga origjina si "korrigjim kufijsh" nuk ishte ide amerikane. Ajo për çka ne duhet të punojmë me kohezion dhe strategji si Kosovë, përtej çdo interesi tjetër politik e partiak, është sforcimi i pozitës sonë dhe interesave tona shtetërore në sytë e SHBA-ve. Dhe, ketë ne mund ta bëjmë nëse punojmë me përkushtim dhe bashkërisht”, shpjegon Bislimi.

“Fundja, fuqia jonë e ndikimit në ShBA historikisht ka buruar nga Kongresi i SHBA dhe aty kemi miq të vërtetë në të dyja taborët -- si tek Republikanet ashtu edhe tek Demokratët. Por, na duhet angazhim më i madh gjithsesi”, përfundon për “Bota sot”, ish deputeti Faton Bislimi.

comment

Read Entire Article