Një zyrtar amerikan tha të hënën se udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un mund të udhëtojë së shpejti në Rusi për t’u takuar me presidentin Vladimir Putin, ndërsa Kremlini përpiqet të sigurojë pajisje ushtarake për luftën e tij në Ukrainë.
Zyrtari, i cili nuk ishte i autorizuar të trajtojë çështjen publikisht dhe foli me agjencinë e lajmeve Associated Press me kusht që të mos i përmendet emri, tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se Kim Jong Un të udhëtojë brenda muajit.
Zyrtari tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë të sigurta se ku dhe kur do të zhvillohet takimi, por qyteti port i Paqësorit, Vladivostok, do të ishte një vend i mundshëm duke pasur parasysh afërsinë e tij relative me Korenë e Veriut.
Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson, vuri në dukje të hënën se ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu udhëtoi në Phenian kohët e fundit dhe u përpoq të bindte Korenë e Veriut që t’i shesë municion artilerie Rusisë.
“Kemi informacione se Kim Jong Un pret që këto diskutime të vazhdojnë, duke përfshirë angazhimin diplomatik të nivelit të udhëheqësve në Rusi”, tha zëdhënësja Watson.
Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje Koresë së Veriut “të ndërpresë negociatat e saj për armët me Rusinë dhe të respektojë angazhimet publike që ka bërë Pheniani për të mos i ofruar apo shitur armë Rusisë”.
Ministri rus Shoigu tha të hënën se të dyja vendet mund të mbajnë stërvitje të përbashkëta ushtarake.
Shtëpia e Bardhë tha javën e kaluar se kishte informacione nga shërbimet e zbulimit që tregonin se presidenti rus Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim, shkëmbyen letra pas vizitës së ministrit Shoigu.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se letrat ishin “më shumë në nivel sipërfaqësor”, por se bisedimet ruse dhe koreano-veriore për shitjen e armëve po përparonin.
Top Channel