Klube të mëdha evropiane rivalizojnë njëra-tjetrën për shërbimet e Maignan

10 months ago 10

Portieri i Milanit, Mike Maignan, raportohet se është vënë në shënjestër të disa klubeve të mëdha evropiane si Chelsea, Manchester United, PSG dhe Bayern Munich.

Francezi momentalisht preferon qëndrimin tek Milani, por dy palët ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për rinovimin e kontratës.

Kontrata aktuale e tij me Milanin skadon në 2026 dhe Maignan po kërkon një rritje të konsiderueshme të pagës. Sidoqoftë, kërkesa e tij është duke u konsideruar nga klubi dhe ende nuk ka një përgjigje definitive.

Sipas FootMercato, janë tri ekipe të cilat janë të gatshme të ‘thyejnë bankën’ për të siguruar shërbimet e ish-portierit të Lille.

PSG janë në garë për të nënshkruar me Maignan, pasi që Donnarumma nuk i ka lënë përshtypje të mira trajnerit të ri, Luis Enrique. Portieri italian u përjashtua me të kuq në sfidën ndaj Le Havres duke lënë ekipin me një lojtar më pak në fushë.

Bayern në anën tjetër është vënë në kërkim të zëvendësuesit ideal të Manuel Neuer i cili po shkon drejt pensionimit.

Ndërkohë, Manchester United janë duke shikuar për blerje të reja, pasi transferimi i Andre Onanas nga Interi nuk po del të jetë i suksesshëm ashtu siç ishte parashikuar në fillim.

Që të tria klubet janë të gatshme të paguajnë deri në 70 milionë euro për të bindur Rossonerët të lejojnë largimin e tij.

Maignan është i vetmi portier në top pesë ligat më të mira që ka bërë të paktën një asistim në tri sezone radhazi.

Ai gjithashtu ka shënuar rekord, duke u bërë portieri i parë që nga sezoni 2004/2005, që regjistron më së shumti asistime./Telegrafi/

Read Entire Article