Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar për deklaratat e Lulzim Bashës së ndërkombëtarët kanë ndërhyrë në çështjet e Reformës Zgjedhore.
Për Top Channel, ambasada e SHBA ka mohuar ndërmjetësimin për Reformën Zgjedhore duke theksuar se takimet e rregullta me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare janë pjesë e angazhimit normal diplomatik.
“Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim”- thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Mesazhit të ambasadës amerikane i parapriu një reagim i delegacionit të BE, i cili theksoi shprehimisht se unioni “nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim”, dhe se “qëndrimi i tyre mbetet i njëjtë, duke theksuar nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR”.
Më herët, përmes një mesazhi në X, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi se në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, Partia Demokratike ia ka dalë të bindë palën tjetër për nisjen e punës për reformën zgjedhore.
“Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë përsëris mirënjohjen time për mbështetjen që partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe MB si edhe OSBE-ODIHR i japin procesit të reformës zgjedhore në Shqipëri. Falë edhe kësaj mbështetje, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti. Listat e hapura, barazia e votës, vota e diasporës dhe votimi dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike të mishëruara në paketën e propozimeve ligjore të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë. Koha për t’ju dhënë shqiptarëve një Kod Zgjedhor pa hile dhe pengesa për lirinë dhe barazinë e votës!”- shkroi Basha ditën e djeshme në X.
Top Channel