Komandanti ukrainas: E kemi thyer linjën e mbrojtjes ruse në jug

1 year ago 11

Ushtria ukrainase e ka bërë një përparim të rëndësishëm, duke i thyer linjat e mbrojtjes ruse në jug të shtetit, ka thënë gjenerali Oleksandr Tarnavskiy për mediat britanike në fundjavë.

Sipas tij, ky hap do të ndikojë në avancim më të shpejtë në rajonin e Zaporizhjas.

Gjenerali Tarnavskiy, i cili është në krye të kundërofensivës ukrainase në jug, ka folur disa ditë pasi Kievi ka shpallur fitore strategjike me marrjen e kontrollit të fshatit jugor Robotin.

Intervista është bërë edhe pas deklaratave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili i ka hedhur poshtë kritikat se kundërofensiva ukrainase po zhvillohet me ritëm të ngadalshëm.

“Tani jemi në mes të linjës së parë mbrojtëse dhe asaj të dytë”, ka thënë Tarnavskiy.

“Në qendër të ofensivës, ne jemi duke i shkatërruar njësitet e armikut që ua mundësojnë mbrojtjen ushtarëve tjerë rusë në linjën e dytë”.

Tarnavskiy ka thënë për të përditshmen britanike The Guardian se forcat e Moskës “vetëm kanë qëndruar dhe e kanë pritur ushtrinë ukrainase”.

Sipas tij, forcat e Kievit tani janë nisur me makina ushtarake, dhe se Rusia ka angazhuar trupa shtesë në atë zonë.

Nën komandën e Tarnavskiyt, trupat ukrainas e kanë çliruar edhe qytetin jugor të Hersonit, vitin e kaluar.

Duke folur për gazetën britanike, Tarnvaskiy ka folur edhe për humbjet e Kievit.

“Sa më afër fitores, aq më vështirë bëhet. Pse? Sepse, fatkeqësisht, ne jemi duke i humbur më të fuqishmit dhe më të mirët”, ka thënë ai.

“Por, tani duhet të koncentrohemi në disa fusha dhe ta kryejmë punën. Nuk ka rëndësi sa e rëndë bëhet për të gjithë ne”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Top Channel

Read Entire Article