Në një intervistë për Zërin e Amerikës, koordinatori për Anti-Korrupsionin Global në Departamentin amerikan të Shtetit, Richard Nephew ka komentuar edhe komisionin antikorrupsion të propozuar nga mazhoranca.
Nephew u shpreh se SHBA do vijojë të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmirësuar dhe punuar me veprimtaritë gjyqësoreqë ekzistojnë dhe për të siguruar që ato organe të jenë sa më të efektshme.
Ai theksoi se çfarëdo lloj reformash shtesë që bëhen, të vazhdojnë të ruajnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sigurojnë që prokurorët ta kryejnë punën e tyre në mënyrë sa më të pavarur dhe të bazohen në fakte.
Pjesë nga intervista:
Zëri i Amerikës: Kohët e fundit, shumica, miratoi në parlament, ngritjen e një komisioni të posaçëm për atë që quan Shqipëria 2030, i cili ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, reformat për mirëqeverisjen, dhe sundimin e ligjit. Cili është opinioni i SHBA për këtë nismë dhe a do të kenë SHBA një rol në të?
Richard Nephew: Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmirësuar dhe punuar me veprimtaritë gjyqësore që ekzistojnë dhe për të siguruar që ato organe që ekzistojnë tashmë të jenë sa më të efektshme. Pikëpamja jonë është se çfarëdo lloj mekanizmi reforme, çfarëdo lloj legjislacioni që paraqitet ka nevojë të jetë gjithëpërfshirës dhe ka nevojë të marrë parasysh aktorët e ndryshëm që ekzistojnë në vend, sidomos organizatat e shoqërisë civile dhe të tjerë. Mendoj edhe që duam të sigurojmë që çfarëdo reformash shtesë që bëhen, të vazhdojnë të ruajnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sigurojnë që prokurorët të vazhdojnë të çojnë çështjet përpara, që të mund ta kryejnë punën e tyre në mënyrë sa më të pavarur dhe të bazohen në fakte. Mendoj se teksa shohim drejt reformave dhe teksa shohim drejt asaj lloj pune që po bëhet për të përmirësuar sistemet këtu, shumë do të vendoset nga sa gjithëpërfshirëse janë, sa sjellin të gjithë aktorët e ndryshëm dhe se nuk do të humbim përparimin e mirë që është bërë tashmë, për ta bërë sektorin e drejtësisë sa më të pavarur dhe sa më të efektshëm që të mundet.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb