Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot Konferencën parlamentare mbi “Rolin e Parlamentit në Procesin e Berlinit”.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla në Konferencën parlamentare “Roli i parlamentit në Procesin e Berlinit” gjatë fjalës së saj tha se bashkëpunimi dhe integrimi rajonal është parakusht i kurorëzimit me sukses të rrugëtimit evropian të vendit tonë.
“Këtë Konferencë e zhvillojmë vetëm pak ditë para Samitit të Tiranës, i cili është Samiti i Parë i Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE. Si i tillë, Samiti i 16 tetorit është një ngjarje prestigjioze dhe domethënëse për Shqipërinë, por edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Procesi i Berlinit vitin që vjen mbush një dekadë. Dhe mund të themi, një dekadë të suksesshme. Qoftë edhe për faktin se në një rajon tradicionalisht të trazuar nga demonët shekullorë tënacionalizmit, të së kaluarës dhe historisë, qeveritë, parlamentet, udhëheqësit dhe institucionet diskutojnë e vendosin jo për të kaluarën, por për të ardhmen.
Gjatë kësaj dekade dhe këtij procesi, në Ballkanin Perëndimor kemi filluar që të ardhmen të mos e projektojmë nëpërmjet errësirës e paragjykimeve të së kaluarës, por këtë të fundit ta ndriçojnë me dritën e të ardhmes së përbashkët në familjen evropiane. Në emër të kësaj të ardhme evropiane, duhet të ngrihemi dhe po ngrihemi mbi mëritë e trashëguara.
Ky metabolizmi i ri në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian duhet, dhe ne fakt ka filluar të krijojë, një proces te ri metabolizmi edhe në marrëdhëniet mes vendeve tona. Le të avancojmë në këtë proces. Ne, parlamentarët shqiptarë, e kemi të qartë se integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv kombëtar, mbipartiak. Është një qëllim dhe një proces për të cilën ka konsensus të plotë mes forcave politike në Kuvendin e Shqipërisë. Konsensusi parlamentar është një parakusht që parlamentet të garantojnë legjitimitetin demokratik, dimensionin gjithëpërfshirës të procesit të integrimit si edhe sinergjinë e bashkëpunimit mes parlamenteve, qeverive, institucioneve, shoqërisë civile, sektorit privat dhe qytetarëve. Unë vlerësoj rolin dhe kontributin e Komisionit parlamentar për Çështjet Evropiane dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, si dy struktura të Kuvendit ku zhvillohet debati politik dhe jetërsohet bashkëpunimi parlamentar dhe do të vijoj të mbështes debatin, bashkëpunimin dhe kontributin e tyre për rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Në funksion të këtij procesi, përmirësuar ligjin “Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me qëllim fuqizimin e rolit të Kuvendit në këtë proces.
Këto përmirësime po rrisin edhe rolin e Komisionit parlamentar për Çështjet Evropiane dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian. Ky proces u pasua edhe nga ri-inxhinierimi i strukturës së shërbimeve parlamentare, duke krijuar Shërbimin e Integrimit Evropian si një shërbim i ri në Kuvend. Konsensusi politik e parlamentar mbi integrimin mbështetet nga konsensusi i gjerë qytetar, publik e mediatik. Nuk ekzagjeroj kur pohoj se mbështetja popullore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është më e madhe se e çdo populli tjetër në rajon e më gjerë.
Etja popullore e qytetarëve shqiptarë, por edhe të rajonit për t’iu bashkuar familjes evropiane është më e madhe se pengesat që mund të ngrihen nga forca që nuk e duan destinacionin perëndimor të vendeve tona. Prandaj, në emër të saj, ne në Shqipëri po përshpejtojmë reformat zhvillimore, demokratizuese dhe integruese. Parlamentet nuk janë vetëm udhëheqës, por edhe protagonistë të procesit të integrimit. Ne në Kuvendin e Shqipërisë e kemi kuptuar se angazhimi dhe përkushtimi për të avancuar e thelluar reformat, për të mbështetur luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të luftuar dhe nxjerrë nga trupi i shëndoshë i shoqërisë dhe institucioneve kulturën e papërshkueshmërisë, sipas parimit “Askush nuk është mbi ligjin, askush nuk është poshtë ligjit.”, janë premisa për të merituar udhëheqjen e procesit të transformimit evropian të vendeve tona.
Aktualisht, siç po e konstatojmë të gjithë, qendra e gravitetit të proceseve dhe veprimtarive integruese të zhvendoset nga Brukseli në rajon. Ky është një nder, por edhe përgjegjësi për vendet tona. Është një ushtrim jo i lehtë, por Shqipëria dhe shumica e vendeve të rajonit po e përballojmë atë me sukses. Samiti Bashkim Evropian-Ballkan Perëndimor i Tiranës më 6 dhjetor 2022 dëshmoi qartësinë, vendosmërinë dhe partneritetin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Kryesimi nga Shqipëria i Procesit të Berlinit përgjatë vitit 2023 po rikonfirmon kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe evropianizimi në rajon, por edhe mbështetjen e shumicës së vendeve të rajonit për aspiratën tonë të përbashkët drejt familjes evropiane. Sinqeriteti, përkushtimi dhe arritjet tona kam përshtypjen se janë më të dukshme se vullneti i Bashkimit Evropian për ta konsideruar Ballkanin Perëndimor një pjesë të tij të natyrshme.
Nga ana tjetër, qëndrimi i disa vendeve anëtare të BE-së duhet të jetë po aq i qartë dhe po aq i vendosur sa edhe i institucioneve evropiane që ndjekin e monitorojnë proceset demokratizuese dhe integruese në vendet tona. Bashkëpunimi dhe integrimi rajonal është parakusht i kurorëzimit me sukses të rrugëtimit tonë evropian. Sidomos tashmë kur shpejtësia e procesit integrues po rritet në mënyrë eksponenciale dhe sa më shumë që i afrohemi familjes evropiane, aq më shpejt ecim dhe duhet të ecim drejt saj. Ne, shqiptarët, po përpiqemi sinqerisht dhe seriozisht për të bërë detyrat tona në shërbim të së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor. E kemi bërë të qartë se kemi vetëm një Plan A për të ardhmen tonë dhe ky është Bashkimi Evropian.
Një Evropë e integruar kërkon një rajon të integruar dhe një rajon i integruar kërkon shoqëri të integruara. Shqipëria ka zmbrapsur dhe do të vijojë të zmbrapsë me sukses çdo përpjekje apo influencë joperëndimore dhe jodemokratike, ngado që të vijë ajo, nga brenda apo jashtë rajonit, për të dëmtuar, ngadalësuar, apo devijuar rrugëtimin tonë drejt familjes evropiane. Kuvendi i Shqipërisë do të vijojë të udhëheqë me vendosmëri procesin e integrimit. Këtë besojmë dhe shpresojmë edhe nga parlamentet e të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.Drejt destinacionit tonë evropian ne mund të ecim me shpejtësi të ndryshme, por me të njëjtin vizion, qartësi e vendosmëri“, tha Nikolla.
Nga ana tjetër, Jorida Tabaku, Kryetare e komisionit parlamentar për Çështjet Europiane, në nisje të Konferencës parlamentare mbi “Rolin e Parlamentit në Procesin e Berlinit” theksoi se ky proces i gjatë, ka nevojë të lëvizë përtej letrës.
“Parlamentet e vendeve tona, kanë nevojë të marrin një rol të ri në procesin e integrimit. Parlamentet tona e kanë shumë për zemër debatin, edhe shpesh herë përfshihemi shumë emocionalisht, por çështja e integrimit na bëri bashkë këtë pranverë, na ka bërë bashkë edhe ketë herë për të miratuar një ligj për të rritur rolin e vendit në procesin e integrimit. Unë dua të falënderoj Kryetaren e Kuvendit për mbështetjen që ka për këtë temë, por edhe realizimin e kësaj konference. Ne debatojmë për shumë gjëra, por për ketë ramë dakord që parlamenti duhet të ketë patjetër një rol kyç në Procesin e Berlinit. Takimin e sotëm ne e kemi fokusuar në dy panele kryesore, në panelin e parë ne do të merremi me ato marrëveshjet e procesit të Berlinit që janë në lidhje me kualifikimet profesionale, për të diskutuar që çfarë parlamenti mund të bëjë më mirë, më ndryshe në fushën e arsimit.
Si mundet që të gjitha diskutimet teorike ti bëjmë praktike, e të përfshimë edhe deputetët. Janë pothuajse 300 kualifikime, të cilat duhet patjetër ti përafrojmë me vendet e Rajonit, nga këto 300 kemi një marrëveshje me 5 që është miratuar më parë. Ne duhet patjetër të shohim se si mund ta shtyjmë përpara këtë agjendë. Në panelin e dytë, do të fokusohemi në lidhje me agjendën ekonomike të Procesit të Berlinit, në lidhje me mundësinë e projekteve, por dhe atë që unë shpresoj të jetë krye tema e procesit te integrimit, ekonomia. Ne diskutojmë për tregun e përbashkët rajonal, dhe për iniciativa në këtë treg, por ne duhet patjetër të lëvizim tek ajo që Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut ka kohë që thotë “Integrim përpara anëtarësimit”, sepse ky proces i gjatë, ka nevojë të lëvizë përtej letrës. Shpresoj që rruga që Parlamenti i Shqipërisë shtroj në këtë takim që do të vijojë në Berlin muajin tjetër dhe që kemi mbështetjen e dy kryetarë komisionesh, të jetë vetëm i pari dhe mos të jetë vetëm një akt, një takim ose konferencë, të jetë pjesë e një procesi integral ku të gjithë ne të bëjmë diçka pavarësisht se jemi opozitë apo qeveri, për ta ndryshuar realitetin për qytetarët e vendeve tona”, tha Tabaku.
Top Channel