Koreja e Veriut e ka lëshuar një lloj të paidentifikuar të raketës balistike, kanë thënë Garda Bregdetare e Japonisë dhe ushtria e Koresë së Jugut.
Pak pas lansimit, vetë Pheniani e ka dënuar atë që e ka konsideruar shpërfaqje të forcës ushtarake, në krye me Shtetet e Bashkuara, dhe ka aluduar se veprimet e saj të fundit janë “paralajmërim për një luftë bërthamore”.
Raketa është lëshuar drejt brigjeve lindore të Koresë së Veriut, sipas autoriteteve jugkoreane. Rreth 20 minuta pas lansimit, Garda japoneze ka thënë se raketa ka rënë në det. Ky lansim është bërë pas paralajmërimeve nga zyrtarë në Seul dhe Tokio që Koreja e Veriut – fuqi bërthamore – është duke u përgatitur për lëshim të një rakete – përfshirë një raketë balistike interkontinentiale, këtë muaj.
Të gjitha aktivitetet me raketa balistike të verikoreanëve janë të ndaluara, sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bahkuara. Mirëpo Pheniani i konsideron ato si të drejtë sovrane e një shteti për t’u vetëmbrojtur.
Rreth gjysmë ore pas lansimit, media shtetërore verikoreane e ka transmetuar një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila i ka kritikuar “gangsterët ushtarakë” në Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për rritje të tensioneve, përmes stërvitjeve, shpërfaqjes së forcës, dhe planifikimit të një lufte bërthamore.
Në deklaratë është cituar arritja e një nëndetëseje amerikane me kapacitet bërthamor, USS Missouri në portin jugkorean, Busan, të dielën.
“Forcat e armatosura të Koresë së Veriut do të neutralizojnë përpjekjet e SHBA-së dhe forcave të tyre vasale për të nisur luftë bërthamore, dhe kështu do të garantojnë paqe dhe siguri në Gadishullin Korean”, është thënë në deklaratë.
Në deklaratë është krikuar edhe mbajtja e një takimi në mes të ekipeve jugkorenae dhe amerikane, të premten, në Uashington, duke thënë se veprime të tilla shërbejnë si paralajmërim për Korenë e Veriut./Rel
Top Channel