TIRANE
Puna për Teatrin e Ri po ecën me ritme të shpejta, teksa pritet që brenda vitit 2025 të përfundojë karabinaja e godinës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha, së bashku me një grup kritikësh, drejtorë teatrosh dhe gazetarësh nga vende të ndryshme të Europës, vizituan kantierin e Teatrit të Ri, si dhe njohën vizitorët me projektin dhe ecurinë e punimeve.
Kryebashkiaku Veliaj tha se Teatri i Ri do të jetë njësoj me teatrot e tjerë të Europës dhe do të mirëpresë artistët dhe publikun siç i ka hije. Ai shtoi se vendi ecën përpara vetëm duke parë nga e ardhmja.
“Është një kënaqësi e veçantë që pritëm një grup njerëzish që merren me teatër, që prodhojnë art dhe kulturë, nga dhjetra teatrot e Europës, të cilët panë se si edhe në Tiranë arti dhe kultura prodhojnë ekonomi, njësoj siç ne shohim që kjo ndodh në Itali ose në Greqi. Ne duam të provojmë se edhe në Tiranë, të qenit Kryeqyteti Europian i Rinisë, pastaj Qyteti Europian i Sportit, por sidomos vitin tjetër kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, prodhon ekonomi për vendin. Jo vetëm ata që punojnë në industrinë teatrore, por edhe turistët, apo ata që vijnë si spektatorë, konsumojnë, qëndrojnë në hotele, prodhojnë energji ekonomike për qytetin. Ne duam ta kthejmë 2025 në një histori suksesi edhe për Teatrin e Ri, i cili të paktën vitin tjetër të mbarojë si ndërtesë. Duam që vitin kur Tirana të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut të shkëlqejë po njësoj si me titujt e tjerë. Fakti se në Tiranë do të vijnë të gjitha trupat e Mesdheut, na jep një mundësi që, bashkë me Ministrinë e Kulturës, Teatrin Kombëtar dhe Bashkinë e Tiranës, të tregojmë më të mirën tonë”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se Teatri i Ri po ndërtohet për 100 vitet e ardhshme. “Sa më shumë afrohemi drejt Bashkimit Europian, të asaj që është vizioni “Shqipëria 2030”, aq më shumë duhet të europianizohet çdo hapësirë. Edhe pjesa e Teatrit të Ri, pavarësisht se gjithmonë do të ketë debate për ndryshime, ndryshimet gjithmonë provokojnë një diskutim publik. Në fund ne duhet të marrim vendime dhe duhet t’i kemi teatrot njësoj siç i ka Bashkimi Europian, me ajër të kondicionuar në verë dhe me ngrohje në dimër. Kjo do të thotë se po ndërtojmë një teatër për 100 vitet e ardhsme, jo për 100 vitet e shkuara. Vetëm duke parë nga e ardhmja, vetëm duke ecur përpara, mund të prodhojmë histori suksesi. Unë jam i privilegjuar që Bashkia e Tiranës ka mbështetur këtë super paraqitje të këtij bashkimi, të kësaj energjie të jashtëzakonshme kreative, të teatrove të Shqipërisë edhe të Kosovës. Më vjen mirë që kjo kornizë, kjo tablo, ka qenë sot përballë gjithë përfaqësuesve të teatrove europiane. Ka qenë edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të treguar se ‘Po’, në këtë qytet ka debat, por në këtë qytet merren edhe vendime për të ecur përpara”, nënvizoi Veliaj.
Drejtori i Teatrit Kombëtar, Altin Basha tha se me Teatrin e Ri, Shqipëria po hyn në procesin e ndërkombëtarizimit të hapësirës teatrore. “Patëm mundësinë t’i prezantojmë kantierin e Teatrit të ri Kombëtar një grupi të madh me kritikë, gazetarë dhe drejtorë teatrosh nga e gjithë Europa, të cilët kanë ardhur këto ditë në Tiranë për të ndjekur ‘showcase’ e teatrit shqiptar dhe kosovar. Është një nga aktivitetet më të rëndësishme, ndoshta më unik, në historinë e teatrit shqiptar, që kaq shumë njerëz që merren me teatër të shohin, të vlerësojnë dhe të njohin kulturën tonë, sigurisht me perspektivën se kjo vizitë do të kthehet dhe do të përkthehet në bashkëprodhime, në pjesëmarrje, në festivale. Shqipëria po hyn në procesin e ndërkombëtarizimit të hapësirës teatrore, me shpresën se në momentin kur Teatri i Ri do të jetë në funksion, e gjithë kjo do të përkthehet në një fluks të jashtëzakonshëm të cilësisë së teatrit”, u shpreh Basha.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb