Kryeministri Edi Rama i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në QSUT. Sipas burimeve, Rama i është nënshtruar një operacioni për hernien inguinale.
Kreu i qeverisë është shtruar mëngjesin e sotëm në spital ku raportohet se i është nënshtruar operacionit nga kirurgu Arben Gjata, teksa disa kohë më parë kreu i qeverisë iu nënshtrua një tjetër operacioni për heqjen e apendicitit.
Rama paralajmëroi në fund të gushtit se do të operohet sërish për shkak të një problemi shëndetësor. Gjatë një vizite në QSUT, Rama tha se do të paraqitet sërish si pacient për një ndërhyrje, për shkak të një problemi me hernien inguinale.
“Unë mund të flas edhe si pacient i spitalit që e provova vetë, madje mund të vij prapë për një tjetër ndërhyrje, kam një hernie inguinale që…i kam mësuar edhe emrin… se kësaj diskales nuk kërkoj mjek se punoj me forcat e mia, me streç dhe vetëpërmbajtje para ushqimit që të mos e rëndoj shumë me kolonën e lodhur nga basketbolli, por kësaj inguinales me sa duket nuk i bëj dot derman me forcat e mia, kështu që do të vij prapë”, tha Rama.