Kryetarja e Gjykatës së Kasacionit të Italisë vizitë në Tiranë, zbardhet takimi me Sadushin/ Po përballemi me të njëjtat sfida

2 hours ago 18

Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Kasacionit të Italisë, Margherita Cassano, ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare dy ditore, me ftesë të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

Cassano e cila shoqërohet në këtë vizitë nga Sekretari i Përgjithshëm Stefano Mogini, është pritur të enjten në ambjentet e Gjykatës së Lartë nga anëtarët e kësaj gjykate, të cilët kanë falenderuar delegacionin italian për zhvillimin e kësaj vizite të rëndësishme.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes dy popujve, duke theksuar se ato shkojnë më larg se një miqësi e zakonshme mes dy shteteve. Cassano u shpreh e kënaqur dhe vlerësoi realizimin e kësaj vizite në Tiranë, e cila e nisi serinë e takimeve në Shqipëri me vizitën në Gjykatën e Lartë.

“Jam falenderuese për ftesën, pasi në Shqipëri ndjehem si në shtëpinë time. Jam e bindur se bashkëpunimi mes dy gjykatave tona është shumë i rëndësishëm, pasi të dy vendet dhe sistemet gjyqësore ndajnë dhe përballen me të njëjtat sfida.

Këto takime kanë në plan të parë shkëmbimet e ndërsjella të përvojave të veçanta, në mënyrë që të dyja palët të marrin eksperiencat më të mira nga njëri-tjetri. Mbi të gjitha pavarësia e pushtetit gjyqësor, garantimi i sigurisë juridike nëpërmjet unifikimit të praktikës gjyqësore, qëndrueshmëria në dhënien e drejtësisë, kanë rëndësi parësore në themel të mbrojtjes së interesave të shtetit dhe të qytetarëve, si edhe rritjes së besimit tek drejtësia”, tha ajo.

Në vazhdën e bashkëpunimeve të frytshme në vitet e fundit, Sadushi e ka përqëndruar ftesën për vizitë tek nevoja për t’a çuar në një nivel tjetër bashkëpunimin dhe shkëmbimet e mundshme midis gjyqtarëve, drejt sfidave të reja me të cilat përballet Evropa dhe çështjeve të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

“Vizita të tilla kanë për qëllim ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes dy vendeve, në kuadër të një miqësie të fortë historike dhe institucionale. Problematikat janë të përbashkëta dhe duhet të jemi të gatshëm për t’u përballur me to, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje sa më të përshtatshme dhe në funksion të mbrojtjes së parimeve demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Bashkëpunimi mes dy gjykatave është i nevojshëm dhe duhet të jetë i përhershëm. Marrëdhënia që ne kemi duhet çuar në një nivel tjetër institucional e për këtë shihet si e domosdoshme nënshkrimi i një memorandumi, gjë e cila do të ketë vetëm pasoja pozitive për të dy sistemet tona. Kjo është një kërkesë e vlerësuar dhe e dëshiruar nga të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë”, u shpreh Sadushi.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë e kanë njohur delegacionin me funksionimin e sistemit të gjyqësorit në vendin tonë dhe Gjykatës së Lartë në veçanti, si edhe me proceset reformuese të ndërmarra në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, problematikat, vështirësitë dhe sfidat me të cilat përballet çdo ditë Gjykata e Lartë dhe sistemi gjyqësor në tërësi.

Të dy autoritetet e larta ndanë të njëjtin vlerësim për marrëdhëniet e shkëlqyera që kanë Shqipëria dhe Italia në të gjitha drejtimet, përshëndetën rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave dhe ranë dakord që hapi i radhës së kësaj marrëdhënie do të jetë nënshrimi i marrëveshjes dypalëshë të bashkëpunimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article