Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 foli për temperaturat e larta, që kanë përfshirë vendin tonë në këto ditë.
Brataj theksoi se qytetarët duhet të kenë kujdes nga oraret e pikut të vapës. Ai tha se pirja e lëngjëve është e rëndësishme, duke shtuar se në këtë përiudhë të temperaturave të larta, duhet të shmangen pijet me gaz dhe alkooli.
Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj: Në 24 orët e fundit janë bërë 40 vizita më shumë në urgjenca se në ditë normale. Kjo për shkak të temperaturave të larta. Nga temperaturat e larta rrezikojnë të gjitha moshat. Edhe sportistët janë të rrezikuar madje. Më të rrezikuar kuptohet që janë moshat e treta. Fëmijët kanë mekanizëm shumë të shpejtë përgjigje, ndërsa tek të moshuarit përgjigja është me e ngadalshme. Lëkura ekspozohet shumë në plazh, prandaj duhet pasur kujdes. Duhet të kemi kujdes, mos dalim në pikun e vapës, mirë është të shmangim daljet nga ora 11:00 deri në orën 17:00, kur kjo është e mundur. Nëse flasim sesi të parandalojmë problemet, do të rekomandoja që njerëzit të mos dalin në vapë, të veshin një kapelë të bardhë.
Mund të lagim trupin pak me ujë. Kondicioneri nuk duhet të lihet tek zero, por diku tek 24-26, pasi temperaturat jashtë janë 40 gradë celcius. Pirja e lëngjeve është e nevojshme, duhet të konsumojmë minimalisht 2 litra në ditë. Këshilla për verën është të hash peshk dhe nga pak e kryesisht ushqime të lehta. Moshat e treta duhet ta kenë të matur ujin, 3 deri në 4 shishe të vogla, të pijnë jo shumë shpejt, të pijnë qoftë dhe gllënka. Duhet të shmangim pijet me gaz dhe alkoolin. Nëse njerëzit kanë probleme shëndetësore përtej normales, mund të shkojnë në qendrat shëndetësore më të afërta, edhe të ato pranë plazheve, që janë ngritur këtë verë.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb