Kuqezinjtë: Kujdes sulmin çek! Ramadani e Tuci: Kujdes topat e gjatë, me tifozët në krah ia dalim të shtunën

1 day ago 22

Ylber Ramadani dhe Indrit Tuci janë të bindur se Shqipëria mund t’ia dalë të marrë maksimumin në dy ndeshjet e fundit të ligës së kombeve. Futbollistët kuqezi në konferencën e radhës për shtyp evidentuan si faktorë të rëndësishëm për duelet që do të luhen në Tiranë, publikun e zjarrtë në stadiumin tonë kombëtar.

“Të dyja kundërshtaret janë të forta por ne po mendojmë njëherë për Çekinë dhe pastaj për Ukrainën. Po përgatitemi si të luajmë kundër tyre, kemi avantazh tifozët tanë që janë një shtysë e madhe për ne. Në futboll funksionon ndeshje pas ndeshje, presion ka gjithmonë por duhet të dimë ta përballojmë”, tha Ramadani.

Ramadani thotë se Shqipëria në Çeki humbi prej dueleve të humbura dhe topave të gjatë, ndërsa për ndeshjen e së shtunës veçon një faktor rreziku tek ekipi mik.

“Sulmuesi i Çekisë është shumë i gjatë dhe duhet ta mbulojmë dy veta, është i fortë fizikisht, ai e bën gjithë lojën e Çekisë. Të gjithë që kemi ardhur këtu duam që të marrim rezultatet pozitive. Do bëjmë maksimumin për ti marrë fitore. Do të ndryshojmë qasjen dhe përkushtimin në ndeshje”, tha Ramadani.

Nga ana tjetër Indrit Tuci është një lojtar që e njeh mirë Çekinë pasi luan tek Sparta e Pragës. Sulmuesi që debutoi me një paraqitje pozitive në Gjeorgji, pritet të jetë pikë referimi edhe këtë herë në sulm në mungesë të Manaj , Dakut dhe Brojës.

“Nuk kam presion, por me qejf pasi është hera ime e parë që do të luaj në Air Albania dhe do të jetë sold-out. E marr më shumë si tip motivimi dhe jo presioni, unë jam gjithmonë i gatshëm për të dhënë më të mirën. I njoh mirë çekët, se kanë një stil loje me topa të gjatë dhe fizikisht të fortë. Duhet ti mbulojmë sa më mirë dhe ti neutralizojmë, dhe të kënaqim tifozët”, tha Tuci.

Ndeshja e parë kundër Çekisë luhet në 16 nëntor ndërsa e dyta kundër Ukrainës me 19 nëntor. Kuqezinjtë kanë nevojë për gjashtë pikë që të sigurojnë vendin e parë.

Read Entire Article