Kurti refuzon Ramën, nuk merr pjesë në samitin e Diasporës. Zëdhënësi: Kishte angazhime të tjera….

10 months ago 8

Balkanweb app Get it on Google Play

Sot në Tiranë është mbajtur Samiti III për Diasporën. Atje, me ftesë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, po merr pjesë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, por jo edhe kryeministri Albin Kurti.

Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se Kurti nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë samit për shkak të angazhimeve në agjendë.

Kryeziu përmendi edhe seancën ku Kurti do të raportojë për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

“Në Samitin e Diasporës i cili po organizohet në Tiranë, nga Qeveria e Republikës së Kosovës, po marrin pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi. Gjithashtu, pjesëmarrëse është dhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Për shkak të angazhimeve në agjendë, përfshirë seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku me kërkesë të opozitës do të raportojë mbi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, Kryeministri Kurti nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë organizim”, tha Kryeziu.

Por edhe pse s’mori pjesë, për Kurtin Rama e pati një porosi. Ai tha se Dita e Alfabetit, 22 nëntori, duhet të jetë festë kombëtare në Shqipëri.

Që kjo të jetë ditë feste edhe në Kosovë, Rama iu drejtua Presidentes Vjosa Osmani që edhe ajo t’ia përcjellë këtë porosit Kryeministrit të saj, Albin Kurti.

“Forca e një njeriu, e Arbën Xhaferit, që nuk jeton më, por i cili pati vizionin që të kërkojë që Dita e Alfabetit, 22 nëntori, të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Dhe unë mendoj që tani është dita që Dita e Alfabetit, dita e gjuhës që na bashkon të gjithëve dhe që është thesari dhe bekimi ynë më i madh, të jetë një ditë feste kombëtare edhe në Shqipëri dhe patjetër që unë besoj që edhe Presidentja e Kosovës do t’ia japë këtë sugjerim Kryeministrit të vet. Unë e dëgjoj Presidentin për veten time”.

Për këtë deklaratë u dëgjuan disa të qeshura në publik bashkë me presidenten Osmani dhe homologun e saj Bajram Begaj, që po qëndronin ulur afër njëri-tjetrit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article