Opozita shfaqet e vendosur për të vijuar planin e saj, që Kuvendi të mos funksionojë në normalitet.
Komisionet parlamentare janë kthyer on line për të shmangur përplasjet me deputetët e rithemelimit dhe grupimin e Gazment Bardhit. Në mungesë të pjesëmarrjes në komisione, opozita prej dyditësh organizon në ambientet e Kryesisë mbledhjen e grupit demokrat për skenarët e betejës kundër qeverisë.
“Diskutuam për të vazhduar protestën në parlament, si deputetë që përfaqësojnë një opozitë me të drejta të mohuar dhe për të vazhduar përpjekjet për rivendosjen e këtyre të drejtave kushtetuese, pa të cilat pluralizëm politik në parlament nuk ka. Ju e shihni, ka një klimë të ndezur në publik, ka një zemërim të madh për shkelmimin e të drejtave të opozitës në parlament, ka një urrejtje të madhe ndaj krimit…kështu që koha e një lëvizje me mosbindje civile në të gjithë aspektet po vjen dhe jam i sigurt në suksesin dhe fitoren e saj”, tha Sali Berisha.
“Sa kohë që na mohohen të drejtat, kuvendi nuk do mund të vijojë normalisht. Jemi gati për të shkuar në çdo akt, por ditë pas dite do të zbuloni edhe të rejat. Qëllimi jonë nuk është që parlamenti të jetë në anomalitet. Po bëjmë këtë betejë pasi kemi të drejtë”, u shpreh Gazment Bardhi.
Larg kësaj lëvizje opozitare po qëndron grupi tjetër i PD-së nën drejtimin e Lulzim Bashës, i cili akuzohet nga rithemelimi se është vegël e socialistëve.
“Lulzim Basha është përfundimisht i pakallur në rrafshin politik. E mban Edi Rama si shpif arash. E di se çfarë është shpifa e arave?! Ta tregoj unë! Kur fillon të piqet misri ose gruri, vërshojnë zogjtë dhe sorrat për t’u ushqyer. Atëherë fermerët marrin e bëjnë një dordolec, që shpendët të mendojnë se është një njeri. E përdor Rama në kuptimin figurativ”, tha ish-kryeministri.
Mirëpo ende një ftesë ndaj Bashës, mbetet e hapur për bashkim…
“Kushdo që e ndjen veten në opozitë me Ramën është i mirëpritur”, ishte thirrja e Bardhit.
Top Channel