Lajçak paralajmëroi seriozitet në zbatim të marrëveshjeve Kosovë-Serbi/ Jepen katër propozime për daljen nga situata

6 hours ago 13

Nga raundi i radhës i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë na ndajnë vetëm pak ditë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka bërë të ditur që më datën 24 tetor do të kemi takimin e krye-negociatorëve në Bruksel.

Më 17 shtator kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë zhvilluar dy herë bisedime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili nuk arriti t’i bindte ata për një takim trepalësh në Bruksel.

Herën e fundit kur është zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti.

E gjatë mbrëmjes së djeshme Lajçak, ka thënë se javën e kaluar ka bërë përgatitjet për takimin që do të mbajë me negociatorët kryesorë në Bruksel më 24 tetor.

Lajçak ka deklaruar në Facebook se vizita e tij në Vjenë ishte produktive dhe se është angazhuar në një diskutim të thellë dhe të thellë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, për hapat e nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

“Është koha për të filluar seriozisht me zbatimin,” tha Lajçak.

A po paralajmëron Lajçak zhvillime pozitive në këtë takim të 24 tetorit?

Haziri: Nga Beogradi zyrtar nuk shohim se ka një gatishmëri për të ecur përpara në procesin e dialogut me Kosovën

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Ai tha se nuk pret të këtë ndonjë hap të rëndësishëm në bisedime derisa të përfundojnë zgjedhjet në SHBA dhe në Kosovë.

Image

Nexhat Haziri

Sipas tij, formimi i Asociacionit në zbatimin e marrëveshjes do të jetë i pashmangshëm dhe për këtë arsye Kurti nuk do të bëjë hapa konkret në këtë drejtim, pasi mund të humbë votat në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Përkundër kësaj deklarate të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, z. Lajçak se duhet të fillohet seriozisht zbatimin e marrëveshjes së Ohrit nga palët, nuk pres ndonjë hap të shpejtë në këtë drejtim , jo para zgjedhjeve në Kosovë të cilat janë paraparë të mbahen me 9 shkurt të vitit të ardhshëm, por edhe para zgjedhjeve të këtij nëntori në SHBA. Arsyeja pse nuk do të kemi ndonjë hap serioz drejtë zbatimit të marrëveshjes , është se Kosovës i kërkohet që të fillojë me procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe që sipas marrëveshjes së Brukselit dhe sekuncimit të saj në Ohër, kompetencat e parapara i kalojnë ato të përfshira në marrëveshjet 2013 dhe 2015, gjë që qeveria e aktuale e kryeministrit Kurti llogarit se me fillimin e zbatimit të kësaj pike të marrëveshjes mund të dëmtohet elektoralisht në zgjedhjet e 9 shkurtit”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që ky takim i 24 tetorit do të bëhet vetëm për mbajtur palët aktive në procesin e dialogut dhe asgjë më shumë.

“Po ashtu edhe nga Beogradi zyrtar nuk shohim se ka një gatishmëri për të ecur përpara në procesin e dialogut me Kosovën duke zbatuar marrëveshjet e arritura. Ndërsa takimi i paralajmëruar për 24 tetor i krye-negociatorëve Bislimi dhe Petkoviç do të bëhen vetëm sa për t'i mbajtur palët aktive në procesin e dialogut në mënyrë që t'i shmangun nga veprime të njëanshme që do ta përshkallëzonin situatën edhe ashtu të tensionuar ndërmjet dy vendeve, se sa që mund të dal ndonjë dakordim për ndonjë çështje që është përfshirë në marrëveshjet paraprake”, foli Haziri për “Bota sot”.

Burjani: Katër propozime për Kosovën dhe Serbinë

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet skeptik për takimin e 24 tetorit, duke thënë që nuk do të ketë ndonjë të rëndësishme apo serioze nga këto bisedime.

Image

Blerim Burjani

“Nuk po besoj se ka gjë nga ky takim në kuptim seriozë apo të rëndësishëm, pasi që ky dialog në këtë gjendje momentale dhe me kërkesa të dikurshme të Lajçak për themelim të Asociacionit serb pothuajse  rrethanat në terren kanë ndryshuar plotësisht”, foli ai.

Juristi më tej, jep katër propozime në lidhje me situatën që momentalisht gjendet Kosova me Serbinë.

“Në këtë situatë kisha propozuar si në vijim:

1.Organizimin e zgjedhje Lokale në komunat serbe në vitin tjetër 2025 pasi që edhe ashtu me ligj do të duhej të mbahen, zgjedhjet në veri siç e dini kanë dështuar, serbët i kanë bojkotuar ,

2.Të diskutohet hapja e konkursit për punësim në sektorin civilë në administratën komunale në komunat veriore.

3.Të hapet konkursi  për gjyqtarë dhe prokurorë në veri.

4.Të iniciojnë dialogun për integrim të serbëve lokal në veri Qeveria  e Kosovës dhe Bashkësia Ndërkombëtare  SHBA dhe BE”, shpjegon juristi.

Në fund, ai nënvizon që është e paarsyeshme vazhdimi i presionit për rikthim të strukturave paralele përmes themelimit të Asociacionit kjo duket se ka përfunduar përgjithmonë.

“Themelimi i Asociacionit  është bërë i pamundshëm dhe se terreni politik ka ndryshuar atje plotësisht, është po ashtu jo e arsyeshme vazhdimi i presionit për rikthim të strukturave paralele përmes themelimit të Asociacionit kjo duket se ka përfunduar përgjithmonë”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

Read Entire Article